Rënia e Homsit në duart e opozitës siriane do të mund ta shënonte fundin e regjimit të presidentit të Sirisë, Bashar al-Assad, sipas një eksperti.
Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare në Shkollën Londineze të Ekonomisë, Fawaz Gerges, i tha televizionit BBC se qyteti Homs është “qendra nervore” e qeverisë së Assadit dhe se humbja e tij do të mund ta bënte “shënjestër më të lehtë” kryeqytetin Damask.
“Kapaciteti shtetëror është degraduar në masë të madhe, shkrimi është në mur” – tha profesori Gerges.
“Nëse forcat e Assadit nuk e sprapsin vërtet opozitën nga marrja e Homsit, mendoj se mund ta shohim fundin e regjimit të Assadit në disa javë apo disa muaj të ardhshëm” – parashikoi ai.
Ndërkohë, agjencia “Reuters” citoi një zyrtar të lartë iranian të ketë thënë se Irani është duke synuar që të dërgojë raketa e dronë në Siri në mbështetje të forcave qeveritare.
Teherani gjithashtu do ta rrisë numrin e këshilltarëve ushtarakë për ta përkrahur presidentin Assad.
Zyrtari iranian tha se vendi i tij për momentin Sirisë po i ofron mbështetje satelitore dhe të inteligjencës.
Forcat rebele thonë se të enjten e kapën qytetin Hama, në perëndim të Sirisë. Nga ajo zonë janë publikuar fotografi të festës së rebelëve.
Udhëheqësi i grupit militant, Hayat Tahrir al-Sham (HTS), Abu Mohammed al-Jawlani, shpalli “fitore” në Hama dhe u zotua se “nuk do të ketë hakmarrje”.