Udhëheqësi rus Vladimir Putin i tha homologut të tij azerbajxhanas Ilham Aliyev të shtunën se mbrojtja ajrore ruse ishte aktive kur një aeroplan i “Azerbaijani Airlines” u përpoq të ulej në Grozny përpara se të rrëzohej, tha Kremlini.
Putini e thirri Aliyevin ndërsa u rritën spekulimet se mbrojtja ajrore ruse mund të ketë rrëzuar aksidentalisht avionin, i cili u rrëzua në Kazakistanin perëndimor, duke vrarë 38 persona, në fillim të kësaj jave, raporton AFP, transmeton Klankosova.tv.
Putini i tha Aliyevit se avioni ishte përpjekur të ulej në Grozny “disa herë” dhe se “gjatë kësaj kohe, Grozny, (qyteti i) Mozdokut dhe Vladikavkazi po sulmoheshin nga dronët luftarakë ukrainas dhe mbrojtja ajrore ruse po i zmbrapste këto sulme”.
Lideri rus nuk mori përgjegjësinë për rrëzimin, ndërsa i kërkoi falje Aliyevit që incidenti ndodhi në hapësirën ajrore ruse.
“Vladimir Putin ka kërkuar ndjesë që incidenti tragjik ndodhi në hapësirën ajrore të Rusisë dhe përsëri shprehu ngushëllimet e tij të thella dhe të sinqerta për familjet e të vdekurve, duke u uruar shërim të shpejtë të prekurve”, thuhet në deklaratë.
Kremlini tha se dyshja kishin diskutuar çështjet rreth aksidentit “në detaje”.
Ai tha gjithashtu se ishte duke bashkëpunuar “nga afër” me Azerbajxhanin dhe Kazakistanin për rastin.
Deklaratat e zyrtarëve të Azerbajxhanit lënë të kuptohet se Baku beson se avioni u godit në ajër, ndërsa ShBA-ja ka thënë se kishte “indikacione të hershme” që mbrojtja ajrore ruse mund të ketë qenë përgjegjëse për rrëzimin.