Putin: Nuk ka kushte për negociata, do të flas me Zelensky-in pas zgjedhjeve presidenciale

Presidenti rus Vladimir Putin deklaroi se për momentin nuk ka kushte për negociata, duke shtuar se në Ukrainë autoriteti legjitim është ai i Parlamentit dhe se ai do të flasë me Zelensky-in vetëm pas zgjedhjeve presidenciale, nëse ai rizgjidhet.

Sipas presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, vendi i tij nuk e ka fuqinë për të rimarrë territoret e Donbassit, apo të Krimesë, por pavarësisht kësaj, ata nuk mund të heqin dorë prej tyre.

Kështu u shpreh ai gjatë një interviste të publikuar në gazetën franceze “Le Parisien”, të martën.

Kur u pyet nëse do të konsideronte heqjen dorë nga këto rajone, qoftë edhe përkohësisht, Zelensky deklaroi me vendosmëri se Ukraina nuk mund ta dorëzojë ligjërisht territorin e saj:

“Ne nuk mund të heqim dorë nga territoret tona. Kushtetuta e Ukrainës e ndalon atë. De fakto, këto territore janë aktualisht nën kontrollin rus. Na mungon forca për t’i rimarrë ato. Ne mund të mbështetemi vetëm në presionin diplomatik nga komuniteti ndërkombëtar për të detyruar Putinin të vijë në tryezën e bisedimeve”.

Në lidhje me atë nëse ai do të takohej ballë për ballë me Vladimir Putin, Zelensky u shpreh:

“Nuk ka të bëjë me atë se kush ulet përballë jush; ka të bëjë me pozicionin në të cilin jeni kur negocioni. Nuk besoj se jemi në një pozicion të dobët, por gjithashtu nuk jemi në një pozitë të fortë. A do të hyjmë në NATO? ne nuk e dimë. A do të bëhemi pjesë e Bashkimit Evropian? Po, përfundimisht, por kur?”.