Prezantohen Ligjet e reja për Administratën Publike, Minçev premton departizimin e saj

Katër draft ligje për reforma në administratën publike do të jenë në ENER për shqyrtim publik në 30 ditët e ardhshme. Bëhet fjalë për Ligjin për të punësuarit në sektorin publik, ligjin për nëpunës administrativ, ligjin për përsosjen profesionale dhe trajnim të nëpunësve administrativ dhe ligjin për mbikëqyrje inspektuese. Ministri i Administratës Goran Minçev theksoi disa nga aspektet më të rëndësishme të këtyre ligjeve të reja.

“Departizim i administratës; i japim fund praktikës së ndikimit politik mbi punësimin dhe funksionimin e institucioneve. Punësimet do të bëhen kryekëput mbi bazën e meritave, kompetencave, profesionalizimit që do të thotë fund i klientelizmit dhe intervenimeve partiake. E dyta, procedura transparente dhe objektive për punësim. Çdo konkurs do të publikohet, do të shpallet në Agjencinë për Administratë kurse zgjedhja e kandidatëve do të bëhet përmes një procesi të drejtë, konkurrues trepjesësh; kontroll dokumentesh, testim dhe intervistim”, deklaroi Goran Minçev, ministër i Administratës.

Minçev po ashtu tha se fokusi vendoset te trajnimet dhe përsosja e vazhdueshme e të punësuarve në administratë përmes Akademisë për administratë e cila do të formohet për këtë qëllim. Mes tjerash ai thotë se do të parashihet edhe reduktimi i disa pozitave të funksionarëve duke filluar nga shuarja e Këshillit inspektues. Agjencia për Administratë do të kalojë në kompetenca të Ministrisë. Ligjet e reja parashikojnë edhe harmonizim të pagave me marrëveshjen e përgjithshme kolektive, që do të thotë rritje e pagave në administratën publike për 8% nga muaji mars i vitit të ardhshëm.

Minçev konfirmoi se qeveria aktuale nuk parashikon plan për bartjen e të punësuarve nga sektori publik në atë privat. A do të reduktohen administrata, Minçev nuk e thotë prerë.

“Të shohim, do të tregojë koha. Është e rëndësishme të ketë vullnet politik për ligje reformuese. Vullnetin e kemi. Shpresojmë se propozimet do të pranohen mirë dhe do të na çojnë drejt vendosjes së standardeve evropiane në kuadër të administratës tonë”, tha Goran Minçev, ministër i Administratës.

Sipas planifikimit, ligjet do të kalojnë në qeveri në fund të muajit janar, kurse do të hynë në procedurë në Kuvend në shkurt.