Presidenti i Koresë së Jugut ka urdhëruar arrestime politikanësh, duhet të hiqet nga pushteti, thotë kryetari i partisë së tij
Han Dong-hoon, kryetar i partisë në pushtet në Korenë e Jugut, Partia e Fuqisë së Popullit, pjesë e të cilës është edhe presidenti Yoon Suk Yeol, tha të premten pas një takimi të partisë se presidenti duhet të hiqet nga pushteti për shkak të përpjekjes për ta futur në fuqi gjendjen ushtarake.
Qeveria e Koresë së Jugut të premten i mohoi raportimet se ishte duke u përgatitur për të lëshuar një shpallje tjetër të gjendjes ushtarake, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Presidenti Yeol e shokoi vendin dhe vetë partinë e tij të martën, kur i dha ushtrisë kompetenca të gjera me qëllim të çrrënjosjes së atyre që ai i quajti “forca anti shtet” dhe për t’i anashkaluar kundërshtarët politikë.
Ai e shfuqizoi shpalljen e gjendjes ushtarake rreth gjashtë orë më vonë, pasi Kuvendi, përfshirë disa anëtarë të partisë së tij, votuan kundër dekretit.
Duke folur pas një takimi të partisë në pushtet, kryetari i saj tha se presidenti e kishte urdhëruar arrestimin e disa politikanëve të rëndësishëm.
Zyra presidenciale më vonë mohoi se ishte dhënë ndonjë urdhër i tillë, raportoi agjencia e lajmeve “Yonhap”.
Dong-hoon tha më herët se ekzistonte “rrezik i lartë për veprime ekstreme si përsëritja e gjendjes ushtarake emergjente” për aq gjatë sa presidenti Yeol mbetet në pushtet, duke e vënë vendin në “rrezik të madh”.
Të enjten, partia në pushtet tha se ishte kundër hetimit dhe rrjedhimisht shkarkimit të presidentit, por kryetari i saj la të kuptohej se qëndrimi mund të ndryshojë pas “dëshmive të besueshme” se Yeol kishte synuar që të arrestonte dhe të ndalonte udhëheqës politikë në Gwacheon, në jug të kryeqytetit Seul.
“Unë besoj se pezullimi i menjëhershëm i presidentit Yoon Suk Yeol nga pushteti është i nevojshëm për t’i mbrojtur Republikën e Koresë dhe popullin e saj pas fakteve të zbuluara rishtazi” – deklaroi kryetari i partisë në pushtet.
Nëse Kuvendi e miraton hetimin kundër presidentit, atij i pezullohen kompetencat derisa të zhvillohet një proces hetues nga Gjykata Kushtetuese. Kryeministri shërben si udhëheqës i vendit në kapacitetin e ushtruesit të detyrës.
Presidenti Yeol nuk është parë në publik që nga shfuqizimi i gjendjes ushtarake të mërkurën herët dhe nuk mori pjesë as në takimin e partisë së tij të premten./Nacionale