Presidenti i El Salvadorit triumfues, i del basti për “Bitcoin”-in

Përderisa vlera e kriptovalutës “Bitcoin” shënoi rekord të ri, duke e kaluar për herë të parë shifrën prej 100 mijë dollarësh, presidenti i El Salvadorit, Nayib Bukele, ishte triumfues të enjten rreth bastit të tij për kriptovalutën e njohur.

Miratimi i “Bitcoin”-it – që ka qenë mjet i ligjshëm për pagesa në shtetin e Amerikës Qendrore që nga viti 2021 – nuk është përputhur kurrë me entuziazmin e presidentit, por vlera e investimit të raportuar qeveritar tani qëndron në më shumë se 600 milionë dollarë, raporton agjencia e lajmeve “Associated Press”.

Të enjten, Bukele e fajësoi opozitën me shumë probleme se ka ndikuar që shumë banorë të vendit ta humbnin mundësinë për të përfituar nga rritja e kriptovalutës së famshme.

Në qershor të vitit 2021 ishin mbajtur protesta në rrugë, kur Kongresi e kishte bërë “Bitcoin”-in mjet të ligjshëm për pagesa, edhe pse ai vendim nuk ishte motivi i vetëm i protestuesve.

Shteti i vogël për një kohë të gjatë e ka përdorur dollarin si valutë, por Bukele ka premtuar se “Bitcoin”-i do t’u ofronte mundësi të reja atyre që nuk kishin llogari bankare dhe do t’i pakësonte shërbimet për transfere parash nga remitencat që salvadorasit që jetojnë jashtë vendit i dërgojnë në atdhe. Qeveria kishte ofruar 30 dollarë në formë të kriptovalutës për ata që regjistroheshin për kuleta dixhitale.

“Është me rëndësi që të theksohet se jo vetëm që opozita gaboi në mënyrë kumbuese me “Bitcoin”-in, por, ndryshe nga çështje e tjera (ku ajo gjithashtu kishte gabuar), kësaj radhe kundërshtimi i tyre preku shumë njerëz” – shkroi Bukele në llogarinë e tij në “Facebook”.