Presidenti i Azerbajxhanit: Putini kërkoi falje, ne presim që ai të marrë përgjegjësinë për rrëzimin e avionit

Presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev ka akuzuar Moskën se po përpiqet të mbulojë faktin se avioni i Azerbajxhanit që u rrëzua në Kazakistan më 25 dhjetor, duke vrarë 38 persona në bord, u qëllua nga territori rus dhe kërkoi falje publike nga kompania ajrore e Rusisë.

Ndërsa skenari rus i raketave anti-ajrore duket se është konfirmuar, presidenti azerbajxhanas tha sot në televizionin shtetëror të Azerbajxhanit se “fakti është se avioni azerbajxhanas u godit nga jashtë mbi territorin rus.”

Ilham Aliyev tha se versionet e ndryshme të ngjarjeve të paraqitura nga Rusia pas rrëzimit “treguan qartë se pala ruse u përpoq të fshihte çështjen”.

“Të pranosh fajin, të kërkosh falje në kohë pasi kjo është e dobishme për Azerbajxhanin, i cili konsiderohet një vend mik, dhe të informosh publikun për këtë çështje, këto janë ato që duhet të ishin bërë”, tha presidenti azerbajxhanas, një ditë pas telefonatës me homologun e tij rus, i cili kërkoi falje, por nuk mori përgjegjësi.

“Për fat të keq”, vazhdoi ai, “në tre ditët e para nuk dëgjuam asgjë veç teorive absurde nga Rusia”.

Rrjedhimisht, tha ai, Rusia duhet të kërkojë falje, të pranojë përgjegjësinë, të ndëshkojë autorët dhe të paguajë dëmshpërblime për Azerbajxhanin dhe viktimat e aksidentit.

“Kushti i parë u plotësua dje. Shpresoj që të plotësohen edhe kushtet e tjera”, shtoi ai.

“Pas ekzaminimit të kutive të zeza dhe mbledhjes së informacionit më të detajuar, do të bëhet publik një raport gjithëpërfshirës i asaj që ka ndodhur”, premtoi në fund presidenti azerbajxhanas.

Presidenti rus i kërkoi falje Aliyevit për “incidentin tragjik” në hapësirën ajrore ruse.

“Vladimir Putin kërkoi falje për incidentin tragjik që ndodhi në hapësirën ajrore ruse dhe shprehu edhe një herë ngushëllimet e tij të thella dhe të sinqerta për familjet e viktimave dhe u uroi të plagosurve shërim të shpejtë”, tha Kremlini në një deklaratë.

“Gjatë bisedës u konstatua se avioni i pasagjerëve azerbajxhanas, ka tentuar vazhdimisht të ulej në aeroportin e Groznit. Në atë kohë, Grozny, Mozdok dhe Vladikavkaz ishin nën sulm nga dronët ukrainas dhe sistemet ruse të mbrojtjes ajrore i zmbrapsën këto sulme”, thuhet në deklaratë.

Autoritetet ruse përmendën një sulm me dron ukrainas në rajonin e Groznit, mjegullën, por nuk shpjeguan pse avioni nuk u lejua të ulej në një aeroport rus në rajon, por u detyrua të kalonte të gjithë Detin Kaspik për t’u rrëzuar disa kilometra më pare, në Kazakistan./vizionplus.tv