Premtime të reja të gjelbra për qytetin që çdo ditë i zihet fryma

Shkupi është sërish në krye të listave të qyteteve më të ndotura, ndërsa autoritetet njoftojnë një tjetër masë: ndarjen e automjeteve elektrike. Aktivistët e organizatës qytetare ‘GoGreen’ janë skeptikë se kjo do të sjellë ndryshime të konsiderueshme në luftën kundër ndotjes së ajrit.

Teksa Shkupi përsëri merr frymë me vështirësi nën peshën e lartë të ajrit të ndotur, autoritetet me entuziazëm paralajmëruan një masë të re që, sipas tyre, do të sjellë një ‘të ardhme të gjelbër’ në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut.

Projekti për ndarjen e makinave elektrike, i cili u paralajmërua nga ministrat e Mjedisit dhe Energjetikës, Izet Mexhiti dhe Sanja Bozhinovska, u tha se do të japë një kontribut konkret kundër ndotjes së ajrit në qytetin e Shkupit – i cili gjatë kësaj periudhe po thyen rekordet për ndotjen e lartë të ajrit.

“Bëhet fjalë për sigurimin e ajrit më të pastër, zvogëlimin e kaosit të trafikut dhe mundësimin e një transporti modern, efikas dhe të arritshëm për të gjithë”, tha ministrja Bozhinovska.

Projekti do të zbatohet nga kompania private “Avantcar” e cila tashmë jep me qira makina të tilla elektrike në Slloveni, Austri dhe Kroaci, dhe metë, ministrat nënshkruan një letër mbështetjeje.

Plani për Shkupin është që, që nga shkurti të nisë një projekt pilot në tri komuna: Aerodrom, Çair dhe Gazi Babë, me 100 automjete elektrike, të cilat do të mund t’i shfrytëzojnë institucionet qeveritare, kompanitë dhe qytetarët përmes një aplikacioni celular që do të shërbejë si çelës. Pagesa do të jetë për minutë dhe kilometra të kaluara. Kurse, për automjetet elektrike do të ketë vende të veçanta parkimi, të caktuara vetëm për to.

“Përmes këtij aplikacioni celular gjeni një automjet të disponueshëm, e rezervoni, e zhbllokoni, e drejtoni dhe kur të përfundoni udhëtimin e lini automjetin në një vend të caktuar parkimi dhe e mbyllni. Pagesa bëhet direkt përmes kartelës ose në mënyrë tjetër, të digjitalizuar të pagesës”, tha Matej Çer nga kompania ‘Avantcar’.

Ai shtoi se kostoja e përdorimit të përbashkët të shërbimit do të jetë më e ulët se udhëtimi me taksi. Një udhëtim mesatarisht do të kushtojë nga 3 deri në 6 euro, ndërsa një udhëtim nga qendra e Shkupit deri në aeroportin ndërkombëtar do të kushtojë nga 10 deri në 15 euro.

Projekti do të fillojë pasi të jetë bërë përgatitja e infrastrukturës, me vendet e parkimit dhe mbushësit, për të cilat u tha se do të përdorin energji të gjelbër. I gjithë investimi deri në vitin 2030, do të kushtojë rreth 30 milionë euro, tha Çer.

Nuk ka transport më të shpejtë me më shumë automjete
Për organizatat ekologjike qytetare, masa është ‘shumë larg nga të qenët e mjaftueshme’ dhe është një hap në drejtim të gabuar, sepse kjo do të sjellë më shumë automjete në qytet që do të pengojnë hapësirën tashmë të kufizuar, thonë nga organizata qytetare ‘GoGreen’.

Për zgjidhjen e problemit të trafikut dhe ndotjes që vjen prej tij, thonë nga ‘GoGreen’, autoritetet duhet të investojnë në transportin publik, në transportin me biçikleta dhe në ecje në këmbë.

“Automjete të reja në trafik nuk do të sjellin një transport më të mirë dhe më të shpejtë, do të sjellin më shumë makina, më shumë bllokime në trafik, një transport publik më të ngadaltë dhe ndotja e ajrit ose do të mbetet e njëjtë ose mund të ketë vetëm ndryshime margjinale”, thotë Darko Arsovski Petrovski nga ‘GoGreen’.

Autoritetet në Shkup e propozuan këtë zgjidhje për luftën kundër ndotjes së ajrit, ndërsa qytetarët dhe aktivistët vënë në dukje të dhënat se nga 3.828 deri në 5.000 njerëz në shtet humbin jetën si pasojë direkte ndaj grimcave të dëmshme PM2.5.

Ata, këto të dhëna i përmendën disa herë edhe në protestën e 10 dhjetorit para Qeverisë dhe para Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor në Shkup.

Ministri Mexhiti tha më 23 dhjetor se projekti do të kontribuojë drejtpërdrejt kundër ndotjes së ajrit, me mundësi për një transport më ekonomik të iniciativës private, me mbështetje publike.

“Nënshkrimi i letrës së qëllimit për mbështetje të sistemit të shpërndarjes së makinave elektrike, përfaqëson një veprim konkret dhe të dukshëm për zgjidhjen e një prej sfidave më të mëdha me të cilat po përballemi – ajrin e ndotur. Kjo është një mundësi për një Shkup më të shëndetshëm dhe më ekologjik”, tha Mexhiti.

Shumë viktima, pak masa
Mirëpo, sa janë këto masa të mjaftueshme në një periudhë kur Shkupi, në rrjetet sociale krahasohet si një ‘dhomë gazi, nën qiell të hapur’, me ndotje jashtëzakonisht të lartë e të rrezikshme për shëndetin e qytetarëve.

Situata është e ngjashme pothuajse në të gjitha qytetet e Maqedonisë së Veriut: Strumicë, Tetovë, Manastir, Veles, Gjevgjeli, të cilat janë me kufij shumë të tejkaluar për ndotje, të përcaktuar nga Organizata Botërore të Shëndetësisë (OBSH).

Arsyet për ndotjen e ajrit, janë të shumta: transporti dhe automjetet e vjetruara, por edhe përdorimi i karburanteve me cilësi të ulët për ngrohje, emetimet industriale, numri i pamjaftueshëm i sipërfaqeve të gjelbra. Një problem shtesë është edhe zbatimi i dobët i ligjeve për mbrojtjen e mjedisit.

Prej vitesh, nuk ka masa efektive, megjithëse pasojat shëndetësore nga ky problem janë serioze. Mjekët paralajmërojnë për rritje të rasteve me kancer, sëmundjeve respiratore dhe kardiovaskulare te popullata, veçanërisht te fëmijët dhe të moshuarit.

Edhe pse Qeveria ka njoftuar masa, si subvencione për shtëpi me energji efiçiente dhe energji më të pastër, me prezantimin e Programit Planifikues për Ajër më të Pastër 2024-2030, organizatat qytetare kërkojnë një qasje më agresive për zgjidhjen e problemit.

Drejtori i Bankës Botërore për Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut, Massimiliano Paolucci, më herët tha se qytetarët e Shkupit dhe Tetovës janë të ekspozuar ndaj niveleve dukshëm më të larta të grimcave toksike (PM2.5), krahasuar me njerëz nga Evropa Perëndimore. Ai gjithashtu theksoi se ajri i ndotur në vend vret rreth 2.800 banorë në vit.

Organizatat qytetare apelojnë për veprime urgjente. Iniciativa O2 propozoi një sërë masash konkrete për reduktimin e ndotjes së ajrit në Shkup, me qëllim mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve dhe përputhjen e vlerave me standardet e reja të BE-së për cilësinë e ajrit.

Propozimet kryesore sipas tyre, janë:

Ndalimi i karburanteve ndotëse: Heqja graduale e përdorimit të naftës, mazutit, qymyrit dhe karburanteve të ngjashme për ngrohje dhe përdorim industrial, me afate kohor (2026–2028) për amvisëritë, dhe industrinë (2030).
Filtra për dru: Vendosja e filtrave për subjektet që do të vazhdojnë të përdorin drurin për ngrohje, me subvencione për kategoritë më të ndjeshme.
Kontrolli i trafikut: Kufizimi i trafikut për automjetet me kategori më të ulët ekologjike gjatë periudhës së dimrit dhe ditëve me ndotje të lartë të ajrit (nga viti 2026).
Modernizimi industrial:Ndalimi i përdorimit të mazutit dhe karburanteve të tjera ndotëse në impiantet industriale, aty ku është e mundur përdorimi i gazit ose energjisë elektrike nga burime të ripërtërishme.
Mbikëqyrja dhe gjobat: Instalimi i kamerave për monitorimin e djegies së mbetjeve dhe reagimi i shpejtë i shërbimeve.
Kompostimi i mbetjeve: Mbledhja dhe kompostimi falas i mbetjeve organike për të penguar djegien e barishteve me kompost si shpërblim për qytetarët.
Monitorimi i pluhurit ndërtimor: Monitorimi i detyrueshëm i pluhurit rreth kantiereve të ndërtimit si detyrim për kompanitë ndërtuese.
Me këto masa mbulohen të gjitha burimet kryesore të ndotjes (ngrohja, trafiku, industria dhe mbetjet) dhe vendosen afate të qarta për zbatimin. Iniciativa O2 bën thirrje për miratimin urgjent të vendimeve me interes për shëndetin e qytetarëve, veçanërisht fëmijëve.

Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti, ditë më parë prezantoi Programin e Planit për ajër më të pastër 2024-2030, i cili, siç tha, përfshin projekte në energji, ku bëjnë pjesë masa për uljen e emetimeve nga stufat, instalimin e kaldajave dhe pompave me efikasitet të lartë dhe zhvillimin e sistemeve të ngrohjes pa emetime.

Përveç kësaj, në projektet për transport janë përfshirë sigurimi i 120 autobusëve elektrikë, vendosja e masës ‘car sharing’ për të reduktuar numrin e automjeteve nëpër rrugë, projekti ‘Taksi pa emetime direkte’…

Në sektorët e pylltarisë dhe bujqësisë: Rritja e gjelbërimit dhe parandalimi i zjarreve nëpër pyje, fushata kundër ndezjes së deponive dhe karburanteve të palejuara. Ndërsa në qeverisjen lokale, ndër të tjera, janë përmendur kontrolli i emetimeve nga familjet, krijimi i një shërbimi komunal të vëzhgimit – policia komunale.

Përkitazi me këtë, nga ‘O2 Iniciativa’ thonë se autoritetet nuk kanë masa të qarta dhe të sakta, e as buxhete konkrete për to, dhe me këtë, humbet sërish edhe një vit në vargun e masave pa efekt për uljen e ndotjes së ajrit./REL