Për të hyrë në Kosovë, mërgimtarët presin deri në tri orë

Mërgimtarët që ia kanë mësyrë Kosovës për t’i pritur festat e fundvitit bashkë me familjarët janë përballur të shtunën me kolona të gjata në kufij. Në pikëkalimin kufitar në Merdar, ata kanë pritur nga dy deri në tri orë, sa edhe në atë të Jarinjës. E pritjet janë ankuar se nuk ua ka shkurtuar as hapja e një traseje shtesë kalimi në Merdar

Kthimi i mërgimtarëve për t’i pritur festat e fundvitit me familjarët në Kosovë ka shkaktuar të shtunën kolona të gjata nëpër pikëkalimet kufitare me Serbinë.

Në atë të Merdarit, mërgimtarët kanë thënë se janë detyruar të presin prej dy deri në tre orë. Pritjet më të shkurtra, sipas Qendrës Kombëtare për Menaxhim Kufitar, pati te Dheu i Bardhë dhe në Jarinjë.
E për t’i shkurtuar pritjet, në Merdar gjatë mëngjesit u hap për qarkullim edhe një korsi shtesë, porse mërgimtarët u ankuan se as kjo alternativë nuk e përshpejtoi lëvizjen.

“Pesë orë Kroaci-Serbi, këtu dy orë. Na po lakmojmë prej pune me ardhë menjëherë, kemi punuar deri gjysmë dite. Jemi nisë kishe me ardhë ma shpejt, 24 orë i bamë”, tha një nga mërgimtarët.
“Paj ça me bo, si gjithmonë. Në Kroaci dy orë, këtu dy”, tregoi një tjetër.

Një nga mërgimtarët tregoi se bëri 40 orë rrugë, e tri nga të cilat qëndroi në kolonë për të hyrë në Merdar.E mërgimtarët që kthimin në Kosovë zgjedhën ta bëjnë me autobusë, thanë se janë detyruar që kufirin ta kalojnë në këmbë për t’i evituar vonesat.

“Kur erdhëm në kufi me Hungarinë kemi pritur nja gjashtë orë, krejt komplet nëntë orë kemi pritë. Unë e mora vendimin me ardhë më këmbë (në kolonën në Merdar v.j.), sesa me prit ku me dit sa. A i lëshojnë a nuk i lëshojnë edhe dy-tri orë”, ka thënë një nga ta.

Fluksi i mërgimtarëve është shtuar gjatë pasdites, duke ndikuar që edhe në Jarinjë pritet të zgjasin deri në dy orë, e te Dheu i Bardhë mbi një orë.

Ngarkesë pati edhe në pikëkalimin në Muçibabë, ku sipas Qendrës Kombëtare për Menaxhim Kufitar pritjet kanë zgjatur rreth gjysmë ore./