Për gjashtë muaj, në kuadër të luftës kundër krimit të organizuar SPB Tetovë ka ngritur kallëzime penale ndaj 80 personave

Për gjashtë muaj, në kuadër të luftës kundër krimit të organizuar SPB e Tetovës ka ngritur 59 kallëzime penale ndaj 80 personave nga Tetovë dhe Gostivari. Tek ta policia ka gjetur marijuanë, kanabis, kokainë para dhe armë. Rasti i fundit ishte ai i javës së kaluar, ku gjatë kontrollit në shtëpinë e një 29 vjeçari në Debresh të Gostivarit është sekuestruar sasi e konsiderueshme e drogës si dhe rrënjë kanabisi.

“Në fillim të javës që lëmë pas, u krye bastisje në shtëpinë e një 29 vjeçari në Debresh të Gostivarit, ku gjatë bastisjes, i është gjetur dhe konfiskuar një sasi e konsiderueshme e marijuanës dhe një peshore digjitale, si një saksi e mbjellë me rënjë të kanabis sativës. Po ashtu është gjetur edhe një arme e kalibrit dhe modelit të panjohur. Të njëjtat janë konfiskuar dhe mbajtur për procedura të mëtejme dhe ndaj tij do iniciohet edhe parashtresa përkatëse”, deklaroi Fatmir Rexhepi, zëdhënës i SPB Tetovë.

Ditëve të fundit, policia e Tetovës është vënë gjah edhe pas shitëse të fishekzjarrëve. Rexhepi thotë se shitësit apo përdoruesit varësisht nga dëmi mund të dënohet edhe deri në tre vite burg.

“Njoftojmë qytetarët se përdorimi apo pëlcitja e fishekzjarrëve paraqet shkelje kundër rendit dhe qetësisë publike dhe ndaj kësaj ka edhe parashtresë përkatëse. marrë parasyshë pasojat që mund të lënë përdorimi i fishekzjarrëve, kjo kalon edhe në vepër penale dhe mund të dënohet deri në tre vite burg. Pjesëtarët e policisë janë në terren dhe po hetojnë, edhe pse deri më sot janë kapur një numër i vogël i fishekzjarrëve por po punohet në terren për zbulimin e shitësve ilegal”, shtoi Fatmir Rexhepi, zëdhënës i SPB Tetovë.

Rexhepi paralajmëroi se SPB e Tetovës, në prag të festave të fundvitit, do vijojë edhe me edukimet nëpër shkollat fillore e të mesme për rrezikun e përdorimit të fishekzjarrëve, dhe pasojat që sjellin të njëjtat.