Një jetë nën ujë: Gjermani synon rekord botëror për kohën më të gjatë të kaluar në një habit nënujor
Një burrë në Gjermani po përpiqet të shënojë rekord botëror për kohën më të gjatë të kaluar duke jetuar në një habitat nënujor.
Rudiger Koch ka kaluar më shumë se 60 ditë deri më tani në një kapsulë nënujore në brigjet e Puerto Lindo, Panama, në Detin e Karaibeve.
Ai është në gjysmë të rrugës drejt qëllimit të tij.
“Herën e fundit që kontrollova, isha ende i martuar”, tha ai me shaka.
Koch, 59 vjeç, filloi jetën e tij nënujore më 26 shtator dhe planifikon të kthehet në tokë më 24 janar – 120 ditë më vonë.
Bëhet e ditur se rekordi aktual për kohën më të gjatë të kaluar në një habitat nënujor është 100 ditë, i mbajtur nga amerikani Joseph Dituri në brigjet e Key Largo, Florida, nga marsi deri në qershor 2023, përcjell Telegrafi.
Koch ka jetuar dhe punuar nën ujë në hapësirën e tij të jetesës prej 322 metrash katrorë, të kompletuar me një tualet portativ, TV, kompjuter, biçikletë të palëvizshme, internet satelitor dhe energji diellore.
Inxhinieri i hapësirës ajrore pranoi se i mungon një dush i vërtetë – duke thënë se kjo është gjëja e parë që ai do të bëjë kur të kthehet në tokë.
Siç raportohet, shtëpia nënujore ka një tub vertikal që e bashkon atë me një dhomë tjetër mbi ujë, e cila mban anëtarët e tjerë të ekipit të tij dhe është mënyra se si i dërgohet ushqimi.
Njerëzit gjithashtu mund të zbresin përmes tubit për të bërë një vizitë.
Përveç gazetarëve dhe mediave, vizitorët e vetëm të Koch kanë qenë mjeku i tij, gruaja dhe fëmijët e tij.
Ai monitorohet nga katër kamera që sigurojnë prova se ai qëndron nën ujë gjatë gjithë kohës dhe është në gjendje të mirë shëndetësore.
“Nuk ndihem sikur po vuaj këtu poshtë, aspak”, tha Koch.
Gjermani dëshiron të bëjë më shumë sesa të thyejë një rekord – ai beson se jeta në oqean është diçka që speciet njerëzore “duhet” të bëjnë.
“Ajo që ne po përpiqemi të bëjmë këtu është të provojmë se detet janë në të vërtetë një mjedis i qëndrueshëm për zgjerimin njerëzor”, shpjegoi ai.