Nesër në Prishtinë takohen dy parlamentet shqiptare

Të premten e 20 dhjetorit, Kuvendi i Kosovës dhe ai i Shqipërisë do të mbajnë mbledhje të përbashkët.

Kjo mbledhje nis nga ora 11:00, ku Kuvendi i Kosovës do të jetë nikoqir i deputetëve dhe kryeministrit të Shqipërisë, Edi Ramës, raporton Klankosova.tv.

Lidhur me agjendën e mbledhjes, në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit u dakordua që me një fjalë rasti të pranishmëve të i’u drejtohen kryetarët e kuvendeve përkatëse, kryeministrat, si dhe kryetarët e grupeve parlamentare.

Nga Kuvendi i Shqipërisë do të jenë të pranishëm 70 deputetë.

Ndërkaq shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila ka bërë të ditur se synim i përbashkët i Kuvendeve është agjenda e përbashkët evropiane.

“U njoftuam për takimin e përbashkët, u mor edhe vendimi për agjendën. Takimi i fundit për këtë legjislaturë do të mbahet të premten nga ora 11:00. Synimi i përbashkët është agjenda e përbashkët evropiane”, tha Kusari-Lila.

Kjo seancë e përbashkët nuk është e para ndërmjet dy parlamenteve, pasi takim kishin edhe në vitin 2022.