Nga Mehdi Memeti
Edhe pse ShBA-ja dhe BE-ja po bëjnë presion që askush të mos jetë mbi ligjin dhe të mos pengojë punën e gjykatave në RMV, këtë sistem të korruptuar vështirë se dikush mund ta sjellë në binarë.
Populli është vërtet i lodhur nga politikat e deritanishme, shterpe, veçanërisht nga Kushtetuesja, prokurorët, gjyqtarët dhe trupi gjykues, që vazhdimisht fshehin provat për të liruar kriminelët, hajdutët dhe bandat e tyre. Kemi arritur deri në atë pikë sa përmbaruesit gjenden mbi gjyqësorin, mbi prokurorinë dhe mbi Kushtetuesen. Parazitë të hatashëm që askush nuk guxon t’i kundërshtojë.
Nga ana tjetër, institucioni “Avokati i Popullit” është pa asnjë vlerë dhe vetëm figuron si “kukull” institucionale prej vitesh. Ai i përshtatet vazhdimisht çdo pushteti që vjen e shkon, ndërsa paguhet nga populli taksapagues. Deputetët që thirren si të zgjedhurit e popullit, në fakt janë të vetëzgjedhurit e partive të tyre. Vetë sistemi zgjedhor me lista të mbyllura e vërteton këtë që po themi!
Kjo është një nismë e aleatëve tanë, përveç garancive të forta nga ShBA-ja dhe BE-ja, por edhe ata dyshojnë në obstruksionet e vazhdueshme që bëhen nga komisionet anketuese shtetërore! Ekziston një skepticizëm i paparë, qoftë nga faktori i jashtëm apo ai i brendshëm, veçanërisht kur bëhet fjalë për reformat në drejtësi në RMV.
Dihet mirë se çfarë ndodhi pak më herët me Prokurorinë Speciale. Anëtarët e saj propozoheshin nga partitë më të mëdha në pushtet, sipas marrëveshjes së “Përzhinos”, dhe kjo vetëm e shtoi korrupsionin. U vërtetua se asnjëra parti nuk ka qenë më e pastër se tjetra. Argument për këtë janë pasuritë e tyre për 34-ër vite “demokraci”! Sa kryeministra, ministra, prokurorë, gjyqtarë, deputetë, kryetarë komunash apo drejtorë janë dënuar dhe u është konfiskuar pasuria? Thuajse asnjë! Nëse kjo do të ndodhte, mund të afroheshim pak më shumë drejt shtetit të së drejtës.
Përkundrazi, Parlamenti miratoi rritjen e pagave për gjyqtarët, administratën, dhe të ardhurat e tyre u rritën deri në 78%, kinse për t’i bërë ata të pavarur. Por kot! Në vendin e duhur me njerëz të gabuar nuk mund të bëhet asgjë. Drejtësia bie në duart e pushtetit dhe përsëri kontrollohet nga dyshja VMRO ose LSDM, ndërsa shqiptarët kanë qenë thjesht ndihmës të tyre që nga viti 1990.
Edhe pse shpesh fajësohen shqiptarët, nuk duam të amnistojmë as partitë maqedonase e as ato shqiptare. Në këtë shtet të brishtë, nëse partitë shqiptare kanë keqpërdorur pushtetin me një lugë të vogël, partitë maqedonase kanë përdorur dy ose tre lugë të mëdha. Kjo është e vërteta që duket.
Diplomatët amerikanë dhe ata europianë janë të vetëdijshëm për këto fenomene dhe dukuri. Ata kanë tentuar dhe po tentojnë vazhdimisht të vënë në binarë këtë shtet të raskapitur nga krimi dhe korrupsioni, por pa sukses. Reformat duhet të fillojnë nga brenda, nga shqiptarët, maqedonasit dhe të gjithë të tjerët.
Ajo që pritet të ndodhë së afërmi duhet shqyrtuar seriozisht. Mosbesimi dhe tensionet ndëretnike po shtohen pa nevojë. Edhe pse në aspektin shkencor dihet se konfliktet nuk janë gjithmonë të këqia, varet se si u qasemi atyre: pozitivisht apo negativisht. Vetë jeta është konflikt.
Frika dhe gjithë kjo zhurmë janë të kota. Drejtësia vazhdon të jetë në duart e LSDM-së dhe VMRO-së ndër vite. Stop nacionalizmit të tepruar në RMV! Ky shtet nuk mund të ekzistojë si monoetnik. Kushtetuta duhet ndryshuar për të mirën e qytetarëve të saj.
Intelegjenca maqedonase dhe intelektualët e vërtetë duhet t’u qasen problemeve me gjakftohtësi, ndërsa intelektualët shqiptarë duhet ta kuptojnë se për 34 vite “demokraci”, e keqja te shqiptarët ka ardhur nga vetë shqiptarët. Këtë e kanë thënë intelektualë si Faik Konica dhe shumë të tjerë.
Prandaj, një apel politikanëve shqiptarë: bëni kujdes, sepse historia shënon gjithçka!