‘Na keni çarë …’, tifozët e Milani shpërthejnë kundër drejtuesve

Duhej të ishte një ditë feste për Milanin dhe tifozët e tij, por e diela, 15 dhjetor, do të hyjë në histori si dita e protestës së madhe.

Gjatë ceremonisë, Curva Sud nuk i kurseu fishkëllimat për Zlatan Ibrahimovicin dhe Giorgio Furlanin, arkitektët e Milanit të drejtuar nga Fonseca, ndërsa me fishkëllimën e trefishtë të gjyqtarit Guida, i gjithë stadiumi e shoqëroi largimin nga fusha të Leaos dhe shokëve të tij me një valë të fuqishme vershëllimash, që nuk kurseu askënd, nga lojtarët e deri te klubi dhe trajneri.

“Ky klub nuk na meriton,” brohorisnin ultrasit, të lodhur nga një skuadër që vazhdon të humbasë pikë dhe që, tashmë para Krishtlindjes, është praktikisht jashtë garës për titull.

Protesta e tifozëve të organizuar vazhdoi edhe jashtë stadiumit. Curva Sud shpalosi një pankartë me një mesazh të qartë: “Shoqata Milan: ju kemi pritur dhe mbështetur pa kushte, por mediokriteti juaj na ka ardhur në majë të hundës. Drejtues të paaftë, shoqëri pa ambicie. Nuk jeni në nivelin e historisë sonë.”

Frustrimi u shtua më shumë nga prania e shumë legjendave të klubit gjatë ceremonisë: të shihje Van Basten, Gullit dhe Rijkaard, heronjtë e Milanit të madh të Sacchi-t dhe Capello-s, dhe të gjithë trofetë e fituar në të kaluarën, e më pas të krahasoje këtë spektakël me atë që ofruan kuqezinjtë aktualë, ishte e papranueshme edhe për tifozët më të qetë dhe optimistë.

Fonseca, me mbështetjen e klubit, i la në stol Theo Hernandezin dhe Calabria-n (as që u aktivizuan gjatë ndeshjes), por ky vendim nuk pati asnjë efekt te një skuadër shumë e parashikueshme, që krijoi rrezik për Genoa-n vetëm kur u hodh në sulme vertikale. Fofana dhe Reijnders vazhdojnë të jenë të pazëvendësueshëm, ndërsa pjesa më e madhe e lojtarëve të tjerë nuk arrin të ruajë vazhdimësi në paraqitje. Të vetmit që morën duartrokitje ishin të rinjtë, të cilët nuk kanë faj për dështimin e projektit deri tani: Jimenez ishte më i miri në fushë, ndërsa Liberali dhe Camarda, edhe pse ende të papjekur, u përshëndetën me dashuri në momentin e zëvendësimit.

Sigurisht, me pak fat më shumë (si në rastin e traversës së Morata-s), kuqezinjtë mund të kishin marrë tri pikët, por kjo nuk do të ndryshonte shumë në thelb. Përçarja mes klubit dhe tifozëve duket e pakapërcyeshme (“Na keni çarë trapin”, “Ne nuk jemi amerikanë,” ishin disa nga thirrjet e ngritura në fund të ndeshjes), aq më tepër kur as një idhull si Ibrahimovic nuk shpëtoi nga kritikat. Milani vazhdon ende në garë për Ligën e Kampionëve dhe Kupën e Italisë, por pa mbështetjen e tifozëve, është e vështirë të imagjinohet një përfundim pozitiv.