Mucunski pret në takim zëvendësndihmës sekretarin amerikan të shtetit, Aleksandar Kasanof

Ministri për Punë të Jashtme dhe Tregti të Jashtme, Timço Mucunski sot ka realizuar takim me zëvendësndihmës sekretarin amerikan të shtetit, Aleksandar Kasanof – përgjegjës për rajonin e Ballkanit Perëndimor në Byronë për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike të Departamentit amerikan të shtetit i cili po qëndron për vizitë pune në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

“Gjatë takimit, ministri Mucunski shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme nga ana e Shteteve të Bashkuara të Amerikës mbi proceset e përgjithshme reformuese në vend. Së bashku u konfirmua interesimi për ruajtjen e vazhdimësisë në dialogun politik ndërmjet dy vendeve mike përmes shkëmbimeve të rregullta të vizitave dhe përvojave, vazhdimin e aktiviteteve në kuadër të Dialogut strategjik, si dhe përmes bashkëpunimit të afërt në kuadër të NATO-s”, njoftoi MPJ TJ.

Ministri theksoi fokusin e qeverisë drejt përshpejtimit të procesit eurointegrues dhe zbatimin e reformave që do të ofrojnë përfitime të dukshme për qytetarët, “veçanërisht në sferën e zhvillimit ekonomik, sundimit të ligjit dhe luftës kundër korrupsionit”.

Në këtë kontekst, theksojnë nga Ministria është vënë në pah interesimi për nxitjen e bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar me SHBA-në, si dhe forcimin e lidhjeve të biznesit mes dy vendeve.

“Bashkëbiseduesit shkëmbyen mendime edhe për temat aktuale nga rajoni i Ballkanit Perëndimor, me theks të veçantë në sferat kyçe si siguria rajonale, bashkëpunimi ekonomik, qeverisja e mirë dhe demokracia. Kasanof e konfirmoi mbështetjen e SHBA-së për përpjekjet e Maqedonisë së Veriut në procesin e integrimit në BE dhe theksoi bashkëpunimin e shkëlqyer në kuadër të Aleancës së NATO-s”, thuhet në komunikatë.