Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) nuk e ka certifikuar Listën Serbe – partinë më të madhe të serbëve në Kosovë – për pjesëmarrje në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.
Për këtë ka reaguar, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Në një postim në Facebook, Vuçiq ka drejtuar akuza ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, duke pretenduar se ky vendim është një përpjekje për të eliminuar kundërshtarët politikë të qeverisë aktuale.
“Albin Kurti po tenton të eliminojë kundërshtarin e vetëm politik në Kosovë, që është Lista Serbe,” ka shkruar Vuçiq.
Lista Serbe nuk arriti të certifikohet gjatë mbledhjes së sotme të KQZ-së, për shkak të thirrjeve nacionaliste të kryetarit të saj, Zlatan Elek, të bëra gjatë prezantimit të listës zgjedhore.
Për certifikimin e Listës Serbe ka votuar vetëm kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, kundër kanë dalë dy anëtarët e LVV-së, Sami Kurteshi dhe Alban Krasniqi, ndërsa tjerët kanë abstenuar.
Arianit Elshani nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) parti në opozitë, ka abstenuar në votim, me arsyetimin se Zyra për Regjistrimin e Partive Politike, ka vlerësuar që Lista Serbe i plotëson të gjitha kriteret për certifikim, por që ndan shqetësimet e përmendura nga anëtarë të Lëvizjes Vetëvendosje.
Anëtarët e tjerë në mbledhjen e KQZ-së kanë thënë se Lista Serbe ka të drejtë të ankohet ndaj një vendimi të tillë, pasi Zyra për Regjistrimin e Partive Politike tashmë ka konfirmuar se kjo listë i plotëson të gjitha kriteret.
Zyra për Regjistrimin e Partive Politike është organ që vlerëson nëse një parti plotëson kriteret për pjesëmarrje në zgjedhje dhe ia dërgon rekomandimet panelit të KQZ-së.