Mijëra mund të kenë vde’kur në Mayotte pas ciklonit në fundjavë

Numri i të vdekurve nga cikloni në ishullin francez Mayotte mund të arrijë në një mijë, ka deklaruar prefekti i ishullit, Francois-Xavier Bieuville, raportoi të hënën BBC-ja.

Ekipet e shpëtimit janë duke u përpjekur të gjejnë të mbijetuarit në ishull pasi territori në brigjet e Afrikës Lindore është goditur nga një ciklon gjatë fundjavës.

Vendbanime të tëra janë rrafshuar kur cikloni Chido solli shpejtësi të erës prej më shumë se 225 km/h.

Edhe 160 ushtarë të tjerë, përveç 110 sa janë atje, janë nisur si përforcime në ishull.
Presidenti francez Emmanuel Macron ka thënë se është urgjent dërgimi i përforcimeve në këtë ishull.

“Mendimet e mia janë me bashkatdhetarët tanë në Mayotte, të cilët kanë kaluar orët më të tmerrshme. Disa përforcime kanë ardhur, të tjerët do të vijnë nesër. Është koha për urgjencë. Do të jemi atje sot dhe nesër”, ka thënë ai.

Mayotte është ishull francez në Oqeanin Indian. Ka një popullsi prej 321 mijë banorësh dhe shtrihet në veri të kanalit të Mozambikut në brigjet e Afrikës Juglindore, midis Madagaskarit dhe Mozambikut.