Me ligje gjysmake nuk mbrohet dinjiteti dhe integriteti kombëtar

Ejup Ajdini

Pas zgjedhjeve të fundit parlamentare në Maqedoninë e Veriut po bëhet zhurmë e madhe politike edhe atë në disa kahe. Shpesh u debatua se kush kishte të drejtë të jetë pjesë e kësaj qeverie e kush jo. Edhe Vlen edhe Fronti Evropian hidhnin akuza dhe kundër akuza ndaj njëri tjetrit, por qeveria u krijua ashtu siç deshi z. Mickovski, pasi VMRO përbënte shumicën e kuvendarëve. Erdhi deri te kjo pasi për bllokun shqiptar nuk është e përcaktuar me ligj që partia e cila fiton shumicë parlamentare duhet të bëhet pjesë e qeverisë. Ajo është lënë që të nënkuptohet vetvetiu sipas logjikës politike të derisotme. Pra, kemi punë me ligje të cunguara dhe jo precize. Tani kjo u harrua dhe kanë lindur probleme të tjera me gjuhën shqipe, me balancuesin etj.
Sa i përket pjesëmarrjes së VLEN-it në qeveri nuk ka asgjë të keqe, pasi njerëzit vërtetë kërkonin një ndryshim, pasi kishin kaluar mbi njëzet vite me të njëjtat figura politike e shoqërore. Dukej qartë se gjithçka ishe bërë e tepruar. Në kuptimin më të gjerë të fjalës, ky ndryshim paraqet një shëndet të mirë në jetën e përgjithshme politike. Për BDI-në është e shëndetshme pasi tani ka mundësi që t’i njohe më mirë vlerat dhe antivlerat në rrathët e tij, kurse për VLEN-in krijohet mundësia për një përvojë të re politike, i cili mundet të krijojë personalitete të reja politike. A sa i përket masës popullore është bërë mirë, pasi në një të ardhme të afërt popullata mundet të bëje krahasime midis dy blloqeve politike te shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, veçmas kur dihet se sot ka një opozitë të fortë.
Edhe më herët, nëpër kuluare të ngushta, shpesh tentohej nga partitë politike që ta fajësojnë popullin, pa asnjë të drejtë morale, veçmas kur i humbin zgjedhjet, se gjoja populli nuk kupton, nuk është standard, mashtrohet lehtë etj. Çka të bëje populli?!… e voton herë njërën e herë tjetrën parti politike, herë njërin kamp e herë kampin tjetër politik. Sa herë që politika, kinse kombëtare e demokratike, ka bërë thirrje për vota, populli i është përgjigjur me të gjitha mundësitë që ka pasur. Në zgjedhjet e para parlamentare erdhën nga diaspora me mijëra qytetarë shqiptarë në Maqedoninë së asaj kohe për t’i ndihmuar kinse kauzë kombëtare dhe demokracisë së brishtë, e cila pretendonte për punë të mëdha në interes shoqëror e kombëtar. Gjatë atij udhëtimi vdiqën me dhjetëra qytetar në komunikacion, të cilët vinin nga shtetet e perëndimit. Diaspora me votën e tyre dhe me mjete të shumta financiare e ngritën në piedestal PPD-në e asaj kohe, e cila, bashkë me Partinë Popullore, shpejt u shndërruan në një “gërmadhë mbeturinash.“
Vit pas viti, në çdo palë zgjedhjesh, populli rrinte konsekuent ndaj kërkesave të partive tona e që u dhanë përkrahjen politike e materiale atëherë e deri në ditët tona. E veçanta është se prej vitit 2001 e deri më sot kaluan mbi 20 vite, jo se nuk është bërë asgjë, por asgjë konkrete nuk është realizuar. Natyrisht nuk ka qenë i lehtë dhe e këndshme të përballesh me frymën shoviniste të sistemit të dikurshëm jugosllav. Edhe ato pak ligje që u realizuan, gjoja ishin në interes të dinjitetit e identitetit tonë kombëtar, sot na dalin ligje të gjymta, të cilat ndërrohen kurë të duan maqedonasit.
Tani po bisedohet me të madhe për ligjin e balancuesit dhe ligjin për përdorimin e gjuhës shqipe, apo siç thirret në ligj, gjuha e popullit njëzet përqindëshit. Mirë vallë, ne nuk jemi jurist, por kush është ai që mundet t’i kuptojë këto ligje, të cilat i largon Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë së Veriut pa pyetur askënd. A dihet se kush i ka vendosur ato ligje?! Nëse duhet të largohen disa ligje siç pretendon pala maqedonase, atëherë logjikisht duhet t’i largoje organi që i ka votuar, pra Kuvendi i Maqedonisë së Veriut. Nëse nuk kanë qenë në rregull këtë ligje të miratuara aso kohe, atëherë pse Gjykata Kushtetuese e shtetit nuk ka reaguar me kohë, e jo të prese që të kalojnë vite të tëra… ku është këtu logjika e këtyre ligjeve dhe e këtyre veprimeve të kushtetueses?!… pra na del puna se këto ligje paskan qenë fare politike.
Sipas neve, bëhen këto maskarallëqe, pasi, për fat të keq, këto ligje janë të cunguara dhe të pa mbrojtura nga Badenteri, parlamenti. apo ndonjë mekanizëm tjetër. Populli thotë se dardha e ka bishtin mbrapa, që do të thotë se kjo plagë nuk është hëpërhë vetëm e ditëve të sodit, por edhe e mosdijes së mëhershme politike.
Akuzat dhe kundër akuzat midis dy kampeve politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut, nuk çojnë askund. Palës maqedonase nuk i bëhet vonë për përçarjet tona politike, për vuajtjet dhe padrejtësitë që u bëhen shqiptarëve përmes ligjeve antishqiptare dhe shumë mekanizmave të tjerë shtetëror. Ju parti të nderuara vazhdoni politikat tuaja partiake, por në raste të rëndimit të situatës politike në Maqedoninë e Veriut, nuk guxojmë që ato momente të na gjejnë të përçarë, për të cilat shpresojmë të mos ndodhin kurën e kurës. Po iu themi vëllazërisht, të dyja blloqet politike shqiptare bashkërisht duhet konsultuar për planin B se si do të dilet nga ky ngërç politik, apo nga situatat që mund të jenë fare të padëshirueshme, pasi shpesh politika maqedonase kur ka pas kriza të brendshme politike e ekonomike, ka krijuar skena të çuditshme, duke i shpallur shqiptarët fajtor kujdestar, vetëm e vetëm për të fshehur pisllëqet e tyre politike dhe ekonomike. Një skenë e tillë na duket se i ngjanë asaj të kaluarës edhe kjo me përdhosjen e flamujve nacional të atij maqedonas dhe atij shqiptar, që ndodhi ca ditë më parë, por pushteti maqedonas duket se po merr masa vetëm për akterët shqiptar, kurse veprimet e palës maqedonase i lë në heshtje edhe pse tek ata rasti është ma i rëndë, ku dihet se polici zyrtar maqedonas përdhos flamurin tonë kombëtar. Këtu nuk ka se si të mos linde urrejtja, pasi ligjet realizohen dhe veprojnë njëanshëm.
Prandaj, bashkërisht do të jeni më të fortë dhe më të mençur. Me metoda meskine dhe inate idiotësie nuk arrihet asgjë, përveç se do të përjetojmë akte të shëmtuara politike dhe pa asnjë dobi për popullatën, të cilën e përfaqësojnë deputetët, ministrat dhe dy partitë tona të mëdha politike, VLEN dhe FRONTI EVROPIAN.. Një derë lëreni hapur sa për ta pritur vëllazërisht dhe miqësisht njëri tjetrin. Na duket se ky është imperativi i kohës.