Ambasadorja e Bashkimit Europian në Shqipëri, Romana Vlahutin, ka përshëndetur nismën e qeverisë shqiptare për të ndaluar përdorimin e TikTok për një vit, duke e cilësuar atë një veprim të guximshëm. Ajo shkroi në rrjetin X se Shqipëria po tregon se nuk ka frikë të ndërmarrë veprime të tilla për të mbrojtur sigurinë dhe interesat e qytetarëve të saj.
Vlahutin theksoi se Shqipëria ka shkuar përtej pritshmërive, duke nxjerrë një shembull për Europën, dhe se ky vendim është një shenjë e fuqisë për të mbrojtur vlerat e lirisë dhe sigurisë. “Po! Shqipëria po vepron përtej pritshmërive. Pse? Sepse nuk kanë frikë,” shkroi ajo.
Vendimi për ndalimin e TikTok, që u bë i njohur nga kryeministri Edi Rama gjatë një takimi me mësuesit dhe prindërit, ka ngjallur reagime të ndryshme. Sipas kryeministrit, ky hap ka si qëllim sigurimin e fëmijëve dhe mbrojtjen e tyre nga ndikimet e mundshme të platformave sociale.