Lladrovci parashikon rënie të VV-së në Drenas: Nuk i merr më shumë se 1500 vota

Ramiz Lladrovci, Kryetar i Komunës së Drenasit, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje – partia në pushtet – do të ketë rënie drastike të votave në qytetin që ai drejton, duke parashikuar se partia më e madhe aktualisht në vend, do të marrë jo më shumë se 1 mijë e 500 vota në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Këto komente, Lladrovci i ka bërë gjatë një interviste për “T7”, ku theksoi se rreth 600 anëtarë të LVV-së nga Drenasi janë larguar nga ky subjekt politik dhe pjesa dërrmuese e tyre iu është bashkuar Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).

“Rreth 600 libreza janë dorëzuar të aktivistëve të VV-së kanë kaluar në PDK. Po ne nuk e bëjmë të madhe. Edhe ne dikur kemi qenë të parët, tash jemi të dytë, po besoj që do dalim të parët. Por, nëse ne i refuzojmë njerëzit që të vijnë nga subjektet tjera, qysh do të rritemi”, tha Lladrvoci.

Ai beson se në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025, LVV-ja nuk do të marrë më shumë se 1 mijë e 500 vota, duke parashikuar një ndryshim radikal të rezultatit në krahasim me zgjedhjet e 2021-së, ku partia e Albin Kurtit kishte marrë një numër të konsiderueshëm votash në këtë komunë.

“Besoj shumë që nga 6 mijë e 300 vota që i ka marrë në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021, nuk i merr mbi 1 mijë e 500 vota më 9 shkurt – besoj shumë, ndoshta nuk po di me vlerësu, po jam shumë i bindur se nuk i merr më shumë sepse asnjë gjë nuk e ka bërë për Drenasin”, potencoi.

Jashtë kësaj, i pyetur se kënd e konsideron kryeministrin më të mirë në këto 25 vite, Lladrovci nuk pati asnjë dyshim se është Hashim Thaçi.

“Unë e kam ndoshta dobësi pasi që duhet të them atë që e ndjej edhe e përjetoj: Kryeministër më i mirë i Kosovës besoj që ka qenë ish-Presidenti, Hashim Thaçi”.

Të vështirë nuk e pati as për më të dobëtin: për të është kryeministri Albin Kurti

“Më i dobëti, më përgjegjësi e them, për zhvillim të Kosovës është Albin Kurti”, potencoi.

Ndryshe, pasi që Presidentja Vjosa Osmani ka shpallur 9 shkurtin e 2025-së si datë për mbajtjen e zgjedhjeve të reja, partitë politike kanë filluar premtimet dhe takimet me qytetarët në përpjekje e sipër për të marrë besimin e tyre për të drejtuar vendin në katër vitet e ardhshme.