Lavrov sërish e përmend Kosovën, bën krahasime me Krimenë

Ministri i Jashtëm i Rusisë Sergey Lavrov, në një intervistë për gazetarin Tucker Carlson në podcastin “Tucker Carslon Show”, ka deklaruar se Rusia nuk dëshiron luftë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por sipas tij do t’i përdor të gjitha mjetet për t’u mbrojtur.

Lavrovit as kësaj here nuk i ka shpëtuar Kosova pa e përmendur derisa ka bërë krahasime me Krimenë. Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarit amerikan, i cili kritikohet për intervistat me zyrtarët rusë, Lavrov ka thënë se SHBA’të krijojnë probleme dhe më pas shohin si t’i përdorin ato.

Në këtë kontekst ai ka bërë krahasime mes Kosovës dhe Krimesë

“Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera perëndimore njohën shpalljen e njëanshme të pavarësisë së Kosovës, thanë se po zbatohet parimi i vetëvendosjes. Në Kosovë nuk ka pasur referendum – por shpallje e njëanshme e pavarësisë. Meqë ra fjala, pas kësaj, serbët iu drejtuan Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila vendosi se (mirë, normalisht ata nuk janë shumë specifik në gjykimin e tyre, por ata vendosën) se kur një pjesë e një territorit shpall pavarësinë, nuk është domosdoshmërisht për t’u rënë dakord me autoritetet qendrore” tha ai.

“Dhe kur disa vite më vonë, krimeanët po mbanin referendum me ftesë të shumë vëzhguesve ndërkombëtarë, jo nga organizata ndërkombëtare, por nga parlamentarë në Evropë, në Azi, në hapësirën post-sovjetike, ata thanë, jo, ne nuk mund ta pranojmë këtë sepse kjo është cenim i integritetit territorial. Karta e OKB-së nuk është një meny. Ju duhet ta respektoni atë në tërësinë e saj” ka shtuar Lavrov.