Problemet në Ballkan të zgjidhen në tryezën diplomatike, për shkak se ende janë të freskëta traumat e së kaluarës së Ballkanit – ishte mesazhi që nga Shkupi e dërgoi Kryetari i Kuvendit të Madh Popullor të Turqisë, Numan Kurtullmush, i cili gjendet për vizitë treditëshe në vendin tonë.
Interesi i Turqisë është që pas shkatërimit të Jugosllavisë, rajoni I Ballkanit të jetë I qetë dhe stabil – tha Kryeparlamentari turk, Kurtulmush, gjatë prononcimit për media dhe pas takimit me homologun e tij, Afrim Gashin.
Lidhur me raportet Ankara – Shkup, Kryeparlamentari Kurtulmush tha se që nga momenti i parë kanë rritje të vazhdueshme.
“Republika e Turqisë e mbështet fuqishëm integrimin evropian të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe shpreson që të dy vendet së bashku do ta përfundojnë këtë proces. Në lidhje me bashkëpunimin ekonomik midis dy vendeve, shpreh kënaqësinë për rritjen e shkëmbimit tregtar dhe praninë e kompanive turke në vend, veçanërisht në projektet infrastrukturore.”
Kryeparlamentari Afrim Gashi, theksoi se komuniteti turk është pjesë konstruktive e strukturës shoqërore të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe një faktor i rëndësishëm për bashkëjetesën në vend.
“Republika e Maqedonisë së Veriut dhe Republika e Turqisë kultivojnë një miqësi dhe partneritet të fortë tradicional, ndërsa bashkëpunimi reciprok është dinamik në të gjitha nivelet, veçanërisht në nivel parlamentar. Shpreh bindjen se takimet midis deputetëve të dy kuvendeve mund të kontribuojnë shumë në avancimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të shkëlqyera dypalëshe.”
Ndryshe vizita e Kryeparlamentarit të Turqisë, përkon me Ditën Kombëtare të Turqve në Maqedoninë e Veriut.
Pjesëtarët e komunitetit turk sot e shënojnë Ditën e arsimit në gjuhën turke, që është festë e vetme kombëtare e Turqve në RMV dhe që nga viti 2007 është ditë jopune për këtë komunitet.
Data e 21 dhjetorit është zgjedhur sipas nisjes së mësimit në gjuhën turke në vitin 1944 në Shkollën Fillore “Tefejuz” në Shkup.