Kurti publikon emblemat e gjetura në Zubin Potok: Janë të grupeve ruse e serbe që duan ta destabilizojnë Kosovën e rajonin

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka publikuar një fotografi me emblemat e gjetura pas bastisjeve që janë bërë më 29 nëntor në Zubin Potok, e që sipas Kurtit janë emblema ruse dhe serbe të strukturave të inteligjencës, ushtrisë dhe sigurisë.

Postimi i plotë:

Pas bastisjeve në veri të Kosovës, në lidhje me sulmin kinetik terrorist të datës 29 nëntor 2024 ndaj kanalit të Ibër Lepencit, janë konfiskuar armë, uniforma dhe pajisje të ndryshme, si dhe janë gjetur emblema ruse dhe serbe të strukturave të inteligjencës, ushtrisë dhe sigurisë.
Ky zbulim shqetësues dëshmon për përfshirjen potenciale të grupeve ekstremiste dhe terroriste serbo-ruse, me lidhje të forta në Serbi, që kanë për qëllim destabilizimin e Kosovës dhe krijimin e një mjedisi të pasigurt në rajon.
Stabiliteti dhe paqja në Ballkan kërkojnë një reagim të unifikuar dhe vendimtar kundër këtyre aksioneve terroriste dhe aktiviteteve destabilizuese që rrezikojnë sigurinë e përgjithshme dhe vlerat demokratike në rajon.