Kurti pas takimit me Kallasin insiston në Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të raporteve

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se me shefen e re të Politikës së Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së, Kaja Kallas, ka diskutuar për çështjen e integrimit evropian të Kosovës dhe për raportet me Serbinë fqinje, teksa tha se zyrtarja e BE-së është “në kohën e duhur dhe në vendin e duhur”.

“Nga liderët që ka Evropa sot, besoj se zonja Kallas është në kohën e duhur dhe në vendin e duhur. Ne kemi shpresa të mëdha që Kosova që rajoni i Ballkanit Perëndimor do të përfitojë shumë sa i përket vlerave evropiane, demokratike, mbështetjes ekonomike e financiare dhe paqes dhe sigurisë në përgjithësi”, tha Kurti pas takimit, raporton Radio Evropa e Lirë.

Kurti tha për gazetarët se ka kërkuar nga strukturat e reja të Komisionit Evropian që të insistojë në zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të raporteve me Serbinë, të arritur vitin e kaluar dhe të mos e harrojnë këtë marrëveshje sa herë përmendet dialogu.

Kryeministri tha se e ka njoftuar Kallasin për hetimet lidhur me sulmin e fundit që ndodhi më 29 nëntor në Zubin Potok ndaj kanalit të Ibër-Lepencit dhe tha se ka përsëritur kërkesën drejtuar Serbisë për dorëzimin e Millan Radoiçiqit, i cili ka marrë përgjegjësinë për sulmin e armatosur të 24 shtatorit të vitit 2023 në Banjskë të Zveçanit.

Duke folur për shpërthimin në kanalin e Ibër-Lepencit, për të cilin Kosova e ka fajësuar Serbinë, Kurti tha se janë gjetur shumë elemente ruse.

Bashkimi Evropian e ka cilësuar sulmin e 29 nëntorit në Zubin Potok “akt terrorist” dhe “sabotues” të infrastrukturës kritike të Kosovës.

“Ka armatim të konfiskuar dhe materiale që janë gjetur. Nga 74 emblema që u konfiskuan, 20 prej tyre janë ruse, prej njësive të ndryshme ruse, të tjerat janë kryesisht serbe. Është edhe një e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që na bën të mendojmë se dikush ka dashur që hetimet e ardhshme të shkojnë në drejtim të gabuar, apo siç thuhet në fjalorin e NATO-s ‘false flag operation’”, tha Kurti, duke përsëritur kërkesën drejtuar bashkësisë ndërkombëtare për ndihmë.

Kallas, që ka nisur mandatin e saj pesëvjeçar më 1 dhjetor, do të ketë përgjegjësinë e ndërmjetësimit të procesit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

I pyetur se a ka dhënë sinjale Kallasi se si e sheh vazhdimin e dialogut, Kurti tha se ajo më shumë ka dëgjuar dhe më vonë do të shihet se si do të veprohet.

“Takimi i sotëm ka qenë më shumë për të na dëgjuar neve. Dhe do t’i dëgjojë edhe të tjerët dhe nuk ka dyshim se vitin e ardhshëm do ta intensifikojë procesin për paqe dhe integrim, duke punuar me ekipin e saj. Por, çfarë forme do të merr kjo, është vështirë të thuhet tash. Qartë, ajo po tregon përkushtimin e saj për rajon dhe kjo është shenjë e mirë edhe për Kosovën, që ka pritje nga zonja Kallas, por edhe për gjithë rajonin”, tha ai.

Kryeministri i Kosovës tha se nuk ka hequr dorë nga kushtet e tij për dialogun që kanë të bëjnë me dorëzimin e Radoiçiqit, tërheqjen e një letre dërguar institucioneve të BE-së vitin e kaluar nga kryeministrja e atëhershme serbe, Ana Bërbaniq, dhe insistimi që të nënshkruhet Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit të raporteve.

Marrëveshja – që njihet edhe si Marrëveshja e Ohrit – prej 11 nenesh, ndër tjerash parasheh një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, që Serbia të mos bllokojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, dhe kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë dialogut.

Kurti po ashtu tha se ka kërkuar heqjen e masave ndëshkuese që BE-ja mban në fuqi ndaj Kosovës. /REL