Kurti homazhe pranë Memorialit të fëmijëve të vrarë në Sarajevë

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me zëvendëskryeministren Emilja Rexhepi, vizitën në Bosnje dhe Hercegovinë, e filluan me homazhe pranë Memorialit të Fëmijëve të Vrarë gjatë Rrethimit të Sarajevës.

Ai vendosi lule të freskëta në kujtim të 1,601 fëmijëve të vrarë nga forcat serbe gjatë rrethimit të qytetit të Sarajevës gjatë viteve 1992-1996.

Gjatë vizitës në Sarajevë, ai zhvilloi takime të ndara në Presidencën e Bosnjës me anëtarin kroat, Zhelko Komshiç dhe atë boshnjak, Denis Beqiroviç.

“Falënderoj kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurti, për vendimin për heqjen e regjimit të vizave për qytetarët e Bosnjë dhe Hercegovinës. Vlerësojmë një hap të tillë të jashtëzakonshëm të njëanshëm dhe, për këtë arsye, të pazakontë. Ky veprim sigurisht do të kontribuojë në lidhjen më të mirë të qytetarëve të Bosnjë dhe Hercegovinës dhe Kosovës, si dhe në rritjen e shkëmbimeve të ndërsjella tregtare”, ka shkruar Komshiç në Facebook pas takimit me Kurtin.