Kurti ftohet nga Prokuroria Speciale

Kryeministri, Albin Kurti është ftuar për dëshmi nga Prokuroria Speciale.

Këtë e ka bërë të ditur zëdhënësi i Qeverisë Përparim Kryeziu, i cili tha se në këtë mënyrë po tentohet të ndikohet në zgjedhje.
Tutje, ai ka thënë se ftesa ka të bëjë me zgjedhjet e kaluara ku kishte një vendim gjyqësor i cili ia kishte pamundësuar Kurtit kandidimin në garën zgjedhore të 14 shkurtit 2021.

“Teksa kryeministri Kurti ndodhet në mbledhje të Kryesisë së Lëvizjes VETËVENDOSJE! për të përmbyllur listën e kandidatëve për deputetë nga koalicioni LVV, Guxo dhe Alternativa në zgjedhjet e vitit 2025, nga kryeministria më njoftuan se ka ardhur një ftesë për të nga Prokuroria Speciale. Në zgjedhjet e kaluara kishte një vendim gjyqësor i cili ia kishte pamundësuar kandidimin në garën zgjedhore të 14 shkurtit 2021, kurse tash përmes kësaj ftese po tentohet ndikimi në rezultatin e zgjedhjeve të 2025. Qëllimi mbetet i njëjtë. Metoda ka ndryshuar. Kjo është ndërhyrje e sistemit të drejtësisë në proces zgjedhor”, ka deklaruar ai.