Kudusi Lame: Akuzat ndaj djemve të mi në Hagë po bien si gjethet, pushtetarët në Kosovë i tremben Hashimit

Gjenerali i Ushtrisë Shqiptare, Kudusi Lame, një figurë e rëndësishme në luftën e Kosovës, tha se ndjehet keq kur dëgjon gjuhën që përdoret në Kosovë për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare dhe procesin gjyqësor në Hagë me të cilin po përballen disa prej tyre.

Lame tha se ata, të cilët i quajti djem dhe shokë të tij, po përballen me gjyq politik dhe se akuzat ndaj tyre për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit “po bien si gjethet”.

“Prandaj këta po bëjnë tjera veprime, po e arrestojnë dikë tjetër kinse kanë penguar në drejtësi sepse e kanë parë që Hashim Thaçi nuk mund të dënohet për krime lufte, tash duhet me bë një aktakuzë tjetër”, tha Lame.

Ai tha se persona në Kosovë që dëshirojnë ta mbajnë larg Thaçin dhe se për këtë, ka një arsye.

“Unë jam i bindur se ata i tremben Hashimit. Edhe ata që janë në pushtet sot që bëjnë politikë i tremben Hashimit”, tha ai.

Lame tha se “është zor të ngjitet dikush në shkallët e tij”.