I dërguari i Kombeve të Bashkuara për Sirinë ka bërë thirrje për një fund të shpejtë të sanksioneve perëndimore pas rrëzimit të presidentit Bashar Al Assad. Qeveria siriane ka qenë nën sanksione të rrepta nga Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe vende të tjera për vite me rradhë si rezultat i përgjigjes brutale të Assadit ndaj protestave paqësore anti-qeveritare në vitin 2011 dhe që më vonë u shndërruan në një luftë civile. Ndërkohë një javë pas rënies së regjimit të Assadit, sirianët po kthehen në shkolla dhe universitete me një ndjenjë lirie.
I dërguari i OKB-së në Siri, Geir Pedersen bëri thirrje për heqjen e shpejtë të sanksioneve perëndimore kundër Sirisë.
“Ne shpresojmë të shohim një fund të shpejtë të sanksioneve në mënyrë që të mund të shohim me të vërtetë një plan për ndërtimin e Sirisë”, tha ai.
Zoti Pedersen udhëtoi për në Damask për t’u takuar me zyrtarë nga qeveria e re e përkohshme e krijuar nga ish-forcat rebele që rrëzuan Asadin, të udhëhequr nga grupi militant islamik Hayat Tahrir al-Sham (HTS).
Zyrtarët në Uashington thonë se administrata e Presidentit Biden po shqyrton mundësinë e heqjes së përcaktimit “organizatë terroriste” për grupin. Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken tha të shtunën se zyrtarët kanë qenë në kontakt të drejtpërdrejtë me grupin.
Gjatë fundjavës, zoti Blinken mori pjesë në një takim në Jordani, ku tha se siguroi mbështetjen e 12 ministrave të jashtëm nga Lidhja Arabe, Turqia dhe zyrtarë të lartë nga Bashkimi Evropian dhe Kombet e Bashkuara për mënyrën sesi Siria duhet të drejtohet pas dekadave të qeverisjes së familjes Assad.
Ata ranë dakord që qeveria e re duhet të respektojë të drejtat e pakicave dhe grave, të mos lejojë që grupet terroriste të fitojnë terren, të sigurojnë që ndihma humanitare të arrijë tek ata në nevojë dhe te shkatërrojnë çdo armë kimike të mbetur të epokës së Assadit. Sektretari Blinken ka premtuar se Shtetet e Bashkuara do të njohin dhe mbështesin një qeveri të re që përmbush këto parime.
Ndërkohë, një javë pas rënies së së regjimit të ish-presidentit sirian Bashar Al Assad, sirianët po kthehen në shkolla dhe universitete me një ndjenjë lirie. Tranzicioni ka qenë i qetë. Raportet për hakmarrje dhe për dhunë në baza sektare kanë qenë minimale. Plaçkitja dhe shkatërrimi u frenuan shpejt.
Zyrtarët thanë se shumica e shkollave po hapen në të gjithë vendin të dielën, që është dita e parë e javës së punës në shumicën e vendeve arabe. Megjithatë, disa prindër nuk po i dërgojnë fëmijët në klasë për shkak të pasigurisë.
“Sot është dita e parë e mësimit një javë pas përmbysjes së regjimit. Sot, ne jemi në Sirinë e lirë. Siria është gjithmonë në kërkim të së mirës. Sianët po përpiqen të ndërtojë këtë vend për fëmijët dhe për të tjerët”, thotë Maysoun al-Ali, drejtoreshë e shkollës “Nahla Zaidan” në Damask.
Udhëheqësit e rinj përballen me një sfidë masive për të rindërtuar Sirinë pas 13 viteve të luftës civile që vrau qindra mijëra njerëz.
Ekonomia është e shkatërruar, varfëria është e përhapur, inflacioni dhe papunësia janë të larta. Korrupsioni mbizotëron në jetën e përditshme. Megjithatë të rinjtë shikojnë dritë në fund të tunelit.
“Një javë pas rrëzimit të qeverisë së Asadit, ne jemi kthyer në universitet. Situata është më e qetë dhe profesorët po na inkurajojnë më shumë”, thotë Ribah al-Ahmad, studente dhe banore në Damask.
Pas pesë dekadash të sundimit të familjes Assad shumë banorë tani shpresojnë edhe në ndihmën nga jashtë.
“Një javë pas rënies së tiranisë, faleminderit Zotit që vendi është i sigurt. Jeta po vijon normalisht. Faleminderit Zotit që ambasadat kanë filluar të hapen”, thotë Mohammad al-Homsi, Banor në Damask.
Qeveria e përkohshme e Sirisë do të qeverisë deri në mars, por ende nuk e ka bërë të qartë procesin sipas të cilit një administratë e re e përhershme do ta zëvendësojë atë.