Qeveria e Holandës do të bllokojë rrugën e Serbisë në avancimin drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, ka konfirmuar ministri i Jashtëm holandez.
Holanda beson se Serbia s’është e gatshme për hapin e ardhshëm, ka konfirmuar ministri Caspar Veldkamp, të hënën në Bruksel.
Të gjitha shtetet anëtare të BE-së duhet të japin pajtimin për çdo fazë negociatash deri në pranimin e plotë. Serbia ka më shumë se dy dekada që kërkon pranimin në BE, por ka ngecur për shkak të refuzimit të njohjes së Kosovës.
Veldkamp ka thënë para gazetarëve se “Serbia nuk është e gatshme ende” për hapin e ardhshëm dhe se “ka ngecur në arritjen e progresit në fushën e sundimit të ligjit”.
Siç ka thënë ai, Serbia nuk po është në linjë me politikën e jashtme të BE-së. “Andaj po presim lëvizje nga Serbia”, ka thënë ai.