Gjermania mbështet Sirinë/ Fondi prej 60 milionë eurosh do të përdoret për projekte me fokus arsimin dhe të drejtat e grave

Qeveria gjermane ka bërë me dije planprojektin për mbështetjen e shtetit sirian pas rrëzimit të presidentit Bashar- al -Assad.

Autoritetet njoftuan të hënën se ky projekt do të shërbejë për të forcuar arsimin, të drejtat e grave dhe do të kushtojë plot 60 milionë euro.

Ministrja e Zhvillimit, Svenja Schulze, tha se një “dritare historike” ishte hapur që nga 8 dhjetori, kur rebelët morën kontrollin e Damaskut, duke detyruar Assad të largohej pas më shumë se 13 vjetësh luftë civile dhe duke përfunduar sundimin e tij.

Rreth gjysma e projekteve kanë fokus në arsim, me 25 milionë euro që do të shkojnë për agjencinë e fëmijëve të Kombeve të Bashkuara, UNICEF, dhe 6 milionë euro për grupin ndihmës Arche Nova, i cili drejton shkolla për rreth 3,000 fëmijë.

“Ne kemi formuluar qartë pritshmëritë tona: një sistem arsimor pa ideologji, diskriminim dhe përjashtim,“- shtoi Schulze në deklaratën e saj.

Një tjetër 19 milionë euro do të shkojnë për Agjencinë e Zhvillimit të Kombeve të Bashkuara, UNDP, ndërsa 7 milionë euro do të jepen për OJQ-të siriane, 3 milionë euro do të drejtohen në një fond të veçantë të Kombeve të Bashkuara që mbështet grupet e grave siriane, sipas deklaratës.

Të gjitha projektet do të menaxhohen përmes organizatave joqeveritare dhe agjencive të ndihmës të Kombeve të Bashkuara, dhe jo nga autoritetet e reja të Sirisë, shtoi ministria.