Gjashtë ambasada, përfshirë të Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi, dëmtohen nga sulmi rus në Kiev

Ambasadat e Shqipërisë, Argjentinës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Portugalisë dhe përfaqësia e territoreve palestineze në Kiev pësuan dëme të shumta të premten nga një sulm rus me raketa, njoftuan zyrtarët ukrainas.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Ukrainës, Heorhii Tykhyi tha se godina ku janë vendosur ambasadat u dëmtua rëndë nga sulmi rus.

Në pamje shihen dritaret e thyera, zyra të dëmtuara dhe një automjet me targa diplomatike me xhama të thyer.

Banorët e qendrës së qytetit dëgjuan shpërthime të fuqishme, pas të cilave shpërtheu zjarri në disa ndërtesa, tha drejtuesi i administratës ushtarake së Kievit, Serhiy Popko.

Ai tha se forcat ruse kishin sulmuar me tetë raketa, përfshirë raketat hipersonike ‘Kinzhal’ dhe balistike ‘Iskander’ në këtë sulm, sipas tij.

Ministria e Jashtme e Shqipërisë i dënoi sulmet ndaj ambasadës si “brutale” dhe shtoi se ato vendosën “në rrezik jetën e personelit diplomatik”. Sipas ministrisë, gjatë sulmit Ambasada e Shqipërisë pësoi vetëm dëme materiale në fasadën e jashtme dhe në disa nga hapësirat brenda saj.

“Ky akt i pakuptimtë është një sulm ndaj themeleve të vetë diplomacisë ndërkombëtare”, thuhet në deklaratën e Ministrisë. “Mbrojtja e personelit diplomatik dhe paprekshmëria e misioneve janë parime të panegociueshme që duhet të respektohen dhe të zbatohen plotësisht.”

Edhe Ministria e Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut e dënoi sulmin ndaj godinës së ambasadave, ku ndodhet edhe ambasada maqedone në Ukrainë.

Sipas njoftimit të kësaj ministrie nuk pati dëmtime në njerëz pasi sulmi ndodhi në orët e hershme të mëngjesit, kur stafi diplomatik i ambasadës nuk ndodhej në ndërtesë./voa