Dy ushtarët e Malit të Zi që u arrestuan në Kosovë do të suspendohen

Dy pjesëtarët e Ushtrisë së Malit të Zi të arrestuar së fundmi në Kosovë do të suspendohen dhe do të fillojë procedura disiplinore për mosinformimin e eprorëve se do të udhëtojnë jashtë vendit, ka raportuar “Vijesti” të mërkurën.

Rajko Krivokapiq, 34 vjeç dhe Dragutin Llallatoviq, 24 vjeç u arrestuan për shkak se targat e automjetit me të cilin kishin shkuar në Manastirin e Deçanit më 24 nëntor, mbanin mbishkrimin “Kosova është Serbi”. Bashkë me dy ushtarët u arrestua edhe Marinko Jovanoviq, 24 vjeç. Aktualisht, janë në paraburgim në Kosovë pasi dyshohet se kanë kryer veprën penale të nxitjes së urrejtjes dhe intolerancës.

Sipas burimeve të “Vijesti”, Krivokapiq dhe Llallatoviq nuk e kanë njoftuar komandën e tyre se do të shkojnë në Kosovë, ashtu siç janë të detyruar sipas ligjit.

Njëri nga ushtarët e arrestuar ishte në pushim mjekësor që nga tetori, ndërsa tjetri kishte marrë pushim mjekësor pak para incidentit në Kosovë.

Nuk është e qartë se si dy ushtarët ishin zyrtarisht në pushim mjekësor dhe mundën të udhëtonin jashtë vendit.

Pas suspendimit, ata nuk do të marrin dy të tretën e pagës.

Vendimi ende nuk është zyrtar, pasi Ministria e Mbrojtjes së Malit të Zi ka thënë se po pret që dy ushtarët të raportojnë para autoriteteve malazeze përpara se të suspendohen.

“Procedimi disiplinor nuk mund të fillohet në bazë të raportimeve të mediave”, ka thënë burimi i “Vijesti”.