Drejtori i MEPSO-s uron Vitin e Ri/ Viti 2025 do të jetë vit i sukseseve

Drejtori i MEPSO-s, Burim Latifi ka uruar Vitin e Ri duke treguar se gjatë qeverisjes së tij me këtë drejtori ka pasur një rezultat pozitiv për një kohë shumë të shkurtër. Ai përmes një postimi në rrjetet sociale ka treguar edhe suksesin e drejtorisë së tij.

“ShA. MEPSO ka tejkaluar rezultatin e trashëguar negativ në tremujorin e dytë, dhe tremujorin e tretë e ka mbyllur me rezultat pozitiv.
Suksesi buron nga:
• të ardhurat e rritura si rezultat i rritjes së transmetimit të energjisë elektrike dhe rritjes së të ardhurave nga kapacitetet ndërkufitare
• Anulimi i prokurimeve joproduktive dhe zvogëlimi i kostove operative (karburant, udhëtime zyrtare, mirëmbajtje të automjeteve).
Prioriteti ynë kryesor është zhvillimi i rrjetit të transmetimit duke investuar në përmirësimin e rrjetit, duke u fokusuar në shpenzimet produktive. Për këtë qëllim, mjetet nga prokurimet joproduktive i orientuam në modernizimin e ndërtesave komanduese dhe të stacioneve të transformatorëve (Shkup 1/5 – Butel, Shkup 4 – Pintijë dhe Dubrovë), të cilat përveç rritjes së efiçencës energjetike, do të ofrojnë kushte të mira për të punësuarit.
Në pjesën e projekteve afatshkurtra, dëshirojmë t’i paralajmërojmë projektet e mëposhtme që pritet të fillojnë në periudhën e ardhshme:
• Rikonstruimi i linjave të largpërçuesit Manastir 1 – Prilep 1 – Q1 2025
• Rikonstruimi i largpërçuesit 110 kV TC Veles – TC Petrovec – TC Shkup 4, Q1 2025
• Përforcimi i korridorit 110 kV Gostivar – Oslomej – Kërçovë – Sopotnicë – Manastir, Q3 2025
• Ndërtimi i stacionit të transformatorit 400/110 kV në Ohër, Q3 2025
• Në vitin 2025, planifikojmë të fillojmë aktivitetet e projektit në lidhje me realizimin e rikonfigurimit të rrjetit në rajonin e Pollogut.
• Si pjesë e linjës së kredisë me BERZH duke filluar nga Q3 2025, planifikojmë ta fillojmë realizimin e qendrës së re të dispeçimit dhe instalimin e sistemit të ri SCADA.
• Si pjesë e të njëjtës marrëveshje kredie, gjithashtu planifikojmë të fillojmë në Q3 2025 një sërë investimesh në lidhje me forcimin e sigurisë kibernetike të mbështetur nga BERZH dhe USAID
• Gjatë vitit 2025 pritet të fillojnë procedurat për fuqizimin e rrjetit në Maqedoninë Juglindore (TC i ri 400/110 kV në Miletkovë, rikonstruim i korridorit 110 kV Vallandovë – Strumicë)
Në periudhën afatmesme planifikojmë të fillojmë rehabilitimin dhe përmirësimin e rrjetit të transmisionit në Maqedoninë Perëndimore, konkretisht në korridorin 110 kV nga Struga deri në Vrutok.
Lidhur me projektin kyç për interkoneksionin 400 kV Manastir-Elbasan, ShA. MEPSO e ka ndërprerë kontratën me kontraktorin për shkak të mospërmbushjes së detyrimeve nga ana e tyre. Duke marrë parasysh situatën, zvarritjen e punimeve si dhe braktisjen e plotë të njëanshme të punimeve nga kontraktori, vlerësojmë se ndërprerja e kësaj kontrate përfaqëson në fakt fillimin e përfundimit të këtij projekti, i cili është prioritet kryesor për ShA. MEPSO dhe Qeverinë e RMV-së.
Në plan afatgjatë, iniciativat tona janë në harmonizim të ngushtë me sigurinë energjetike të BE-së dhe synimet e tranzicionit të gjelbër. Përveç kësaj, përmes Western Balkan infrastructure facilities planifikojmë të përmirësojmë interkoneksionin 400 kV ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë, veçanërisht linjën e transmetimit Manastir – Lerin, për të forcuar kapacitetet tona ndërkufitare. Gjithashtu, planifikojmë ta prezantojmë teknologjinë (Dynamic Line Rating) në korridoret kritike për të maksimizuar efikasitetin dhe për të rritur kapacitetin e transmetimit. Një nga qëllimet kryesore në planin afatgjatë është fillimi i procesit të digjitalizimit të stacioneve tona të transformatorëve, duke përfshirë kalimin në sisteme pa SF6.
Një fushë tjetër prioritare është progresi në integrimin e tregut të energjisë elektrike përmes lidhjes së tregut me Greqinë, Shqipërinë dhe Kosovën, i cili pritet të zbatohet plotësisht deri në vitin 2027, duke krijuar treg të unifikuar rajonal që do të rriste kompetentshmërinë e sistemit elektroenergjetik të RMV, e në këtë mënyrë edhe mundësinë e integrimit shtesë të burimeve të rinovueshme të energjisë.
ShA. MEPSO gëzon mbështetjen e Qeverisë së RMV-së, ministrive përkatëse, USAID-it dhe BERZH-it, me qëllim të përbashkët – furnizim të besueshëm dhe të sigurt me energji elektrike dhe tranzicion të suksesshëm të energjisë drejt një të ardhmeje të gjelbër” ka shkruar Latifi.