Dita ndërkombëtare e gjuhës arabe, organizim madhështor në Tiranë nga Ambasada e Mbretërisë së Arabisë Saudite

Në Ditën Ndërkombëtare të Gjuhës Arabe, Ambasada e Mbretërisë së Arabisë Saudite në Tiranë organizoi një event madhështor, duke bashkuar politikanë, intelektualë, pedagogë, studentë, përfaqësues të Ministrisë së Kulturës dhe Bashkisë së Tiranës. Ky aktivitet u mbajt në sallën Geraldine të Hotel Plaza dhe mirëpriti mbi 200 të ftuar nga fusha të ndryshme.

Një nga arritjet kryesore të eventit ishte firmosja e një marrëveshjeje bashkëpunimi midis Agjencisë prestigjioze botuese saudite “Kalimat” dhe Institutit Ndërkombëtar të Studimeve në Shqipëri, të drejtuar nga Z. Albert Rakipi dhe znj. Delal Nasrallah. Kjo marrëveshje shënon një hap të rëndësishëm në nxitjen e bashkëpunimit kulturor midis dy vendeve, duke synuar promovimin e letërsisë dhe kulturës arabe në Shqipëri.

Eventi u pasurua gjithashtu me promovimin e librit të parë të romancierit të njohur saudit, Yusuf Almuhaimid, një krijim që pasqyron bukurinë e gjuhës dhe kulturës arabe. Në fjalën e tij, autori falënderoi organizatorët dhe theksoi rëndësinë e ndërlidhjes kulturore përmes letërsisë.

Në aktivitet, përfaqësuesi i Ambasadës së Mbretërisë së Arabisë Saudite, Z. Muteb Elharithi, mbajti një fjalim frymëzues. Ai theksoi rëndësinë e gjuhës arabe si një urë komunikimi mes kulturave dhe nënvizoi përkushtimin e Mbretërisë për promovimin e dialogut ndërkulturor dhe shkëmbimeve kulturore. Z. Elharithi vlerësoi gjithashtu marrëveshjen me Agjencinë “Kalimat” si një hap historik drejt afrimit të dy vendeve dhe promovimit të trashëgimisë gjuhësore arabe në Shqipëri.