Disenjatorja e modës ngre padi ndaj P.Diddyt

Reperi, P.Diddy, emri i vërtetë i të cilit është Sean Combs po përballet me një tjetër padi, këtë herë nga disenjatorja e modës Bryana “Bana” Bongolan.

Ajo e ka akuzuar reperin për sulm seksual, shkaktim të dhimbjes emocionale dhe mbajtje të paligjshme në burg, duke pretenduar se ai e kërcënoi me jetë dhe e mbajti varur në një ballkon në katin e 17-të të një ndërtese, ka shkruar The Rolling Stone.

Përfaqësuesit e Combsit i kanë mohuar akuzat, duke thënë se reperi është i sigurt që paditë do të konsiderohen si të pabaza.

“Kushdo ka të drejtën të ngrejë një padi, pavarësisht provave që mund të ketë ose jo”, kanë deklaruar avokatët e tij.

Ata kanë theksuar gjithashtu se Bongolan që nga viti i kaluar e ka shprehur dëshirën për të paditur Combsin dhe ka kërkuar përfaqësim ligjor për të ndjekur këtë çështje.

Në padinë e saj, Bongolan ka shpjeguar se është njohur me Combsin përmes ish-të dashurës së tij, këngëtares, Cassandra “Cassie” Ventura, rreth vitit 2014, ndërsa punonte me të në një dyqan në Los Angeles.
Ajo në padi ka thënë se lidhja e saj me Venturan e bëri dëshmitare të disa rasteve të abuzimit të Combs ndaj ish-të dashurës së tij.

Sipas Bongolan, abuzimi ishte intensifikuar deri në incidentin që ajo e përshkruan, ku sipas saj, Combs e ngriti mbi grilat e një ballkoni të katit të 17-të të një ndërtese, duke e kërcënuar me jetë dhe duke i thënë: “A e di çfarë ke bërë? A e di çfarë ke bërë?”

Avokati i Bongolanit, James R. Nikraftar, e kritikoi ashpër Combsin.

“Qëllimi i vetëm i mbajtjes së dikujt mbi grilat e një ballkoni është ta vrasësh atë ose ta terrorizosh qëllimisht dhe ta privosh nga çdo ndjenjë sigurie dhe kontrolli mbi trupin dhe jetën e saj”, ka theksuar ai.
Në padi Bongolan ka theksuar se nuk do të lejojë që frika nga kjo përvojë të kontrollojë jetën e saj dhe kërkon që Combsi të marrë përgjegjësi për traumën që ajo pretendon se ka përjetuar.

Kjo padi i shotohet numrit e disa rasteve ligjore me të cilat po përballet Combs që nga fundi i vitit të kaluar. Mbrojtja në liri i është mohuar tri herë, përkundër dorëzanisë prej 50 milionë dollarësh amerikanë.

Gjykimi për të pritet të fillojë në muajin maj të vitit 2025.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo