Dimitrieska-Koçoska: Shumë projekte të mbartura ndërpriten për probleme objektive, po bëhen ndryshime ligjore për vlerësimin e projekteve mbi 2 milionë euro
26 dhjetor 2024, Shkup – Të gjitha investimet publike mbi 120 milionë denarë ose 2 milionë euro do të shqyrtohen në Ministrinë e Financave dhe do të aprovohen nga Qeveria për tejkalimin e situatës së problemeve që do të rezultojnë gjatë realizimit të mëvonshëm. Kjo është paraparë me ndryshimet në Ligjin e Buxheteve, me qëllim të krijimit të projekteve që mund të realizohen.
Kjo u bë e ditur nga ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska, e ftuar në TV 21, ku theksoi se ka shumë projekte të mbartura nga Qeveria paraprake që tani janë duke u ndërprerë për shkak të problemeve objektive.
“Fatkeqësisht, shumë nga projektet e mbartura për të cilat presim të realizohen, po i ndërpresim gjatë kësaj periudhe për shkak të problemeve objektive. Për shembull, një marrëveshje është ndërprerë për shkak të zbulimit të një garancie bankare të falsifikuar”, potencoi ministrja dhe shtoi se disa projekte e kanë përshpejtuar dinamikën e tyre. Ajo pret që viti të përmbyllet me realizimin e rreth 550 milionë eurove investime kapitale, që është rreth 70% e planifikimeve. Por më e rëndësishme është fakti se bëhet fjalë për realizimin e investimeve kapitale reale.
“Në vitin 2021 shpenzimet kapitale janë realizuar në vlerë prej 400 milionë eurove, në vitin 2022 në vlerë prej 450 milionë eurove, në vitin 2023 në vlerë prej 700 milionë eurove. Por në këto mjete janë përfshirë edhe transfertat kundrejt EMV-së nga të cilat më pas janë kryer pagesat e pagave, si dhe paradhënia e pagesave për projektet e parapara. Këtë vit do të përfundojmë me shpenzimet kapitale me rreth 550 milionë euro, por këto janë shpenzime kapitale reale ”, theksoi ministrja.
Sa i përket realizimit të buxhetit, ajo nënvizoi se po kryhet në përputhje me planifikimin.
“Të hyrat nga TVSH-ja do të jenë mbi planin, nga tatimi mbi të ardhurat personale sipas planit, ndërsa te tatimi mbi fitimin, realizimi do të jetë 98-99%. Kontributet do të kenë ralizim 100%. Deficiti buxhetor do të jetë më i ulët”, potencoi Dimitriska-Koçoska.
Ajo informoi se nuk do të ketë ndryshime në politikën tatimore dhe se ndryshimi i vetëm është harmonizimi me tatimin minimal korporativ.
Sipas ministres duhet të punohet në përmirësimin e standardit të përgjithshëm jetësor të qytetarëve, i cili nuk përfshin vetëm rritjen e pagave dhe pensioneve, por përfshin edhe përmirësimin e kushteve në sektorin e arsimit, shëndetësisë, infrastrukturës etj.
Pagat në sektorin publik do të harmonizohen sipas dispozitave ligjore dhe për këtë janë paraparë mjete. Ndërsa në kontekst të lidhjes së marrëveshjeve kolektive tha se ato janë aprovuar aty ku shfrytëzuesit buxhetorë kanë siguruar mjete për rritjen e pagave në suaza të limiteve të aprovuara”, sqaroi ministrja.
Gjatë intervistës ministrja foli edhe për shfrytëzimin e mjeteve nga huaja prej Hungarisë, e cila është e destinuar për komunat dhe sektorin privat. Njëkohësisht, ajo theksoi se në fund të muajit nëntor, Qeveria ka ndërmarrë vendim për kushtet e shfrytëzimit të mjeteve në sektorin privat dhe se Banka Zhvillimore aktualisht është në pritje të finalizimit të produktit, në harmonizim me të cilin mjetet nga bankat afariste do t’u shpërndahen shfrytëzuesve të fundit.
Për mjetet e destinuara për komunat, ajo tha se procesi po zhvillohet sipas planit dhe se tashmë po bëhen pagesat për projekte të caktuara që janë realizuar.