“Bild” mbrëmë raportoi gabimisht për 11 viktima nga sulmi në Gjermani

Mbrëmë pas orës 19:00, në Magdeburg të Gjermanisë ndodhi një sulm, ku një shofer përplasi makinën e tij në një treg krishtlindjesh.

Nga ky sulm raportohet të kenë vdekur së paku dy persona, ndërsa të lënduar janë rreth 70.

Por mbrëmë, gazeta gjermane “Bild” raportoi për “të paktën 11 të vdekur” në Magdeburg.

Ky raportim del të jetë i pasaktë, pasi asnjë institucion zyrtar gjerman nuk e ka konfirmuar një shifër të tillë.

Madje, linku i lajmit të “Bild” që e raportoi këtë shifër, tashmë nuk ekziston, së paku në rrjetin social Facebook.

Por, raportimi i gazetës gjermane është cituar gjithandej, si në mediat ndërkombëtare, ashtu edhe në mediat tona.

“Yahoo News” e ka ndjekur ngjarjen me përditësime të vazhdueshme. Në disa raste është cituar edhe “Bild”, më saktësisht edhe lajmi kur raportoi gabimisht për 11 viktima. (SHIH KËTU)

Po ashtu, edhe agjencia austriake e lajmeve “APA” e ka transmetuar lajmin e publikuar nga “Bild”, sikurse edhe media tjera austriake.

Lajmin për 11 viktima e transmetoi edhe Klankosova.tv, gjithnjë duke iu referuar “Bild”-it.

Gazetari i DW-së, Bahri Cani, shkroi mbrëmë duke demantuar shifrat e përmendura nga “Bild”.

“Miq dhe kolegë të dashur, tragjedia në Magdeburg është shumë e madhe. Por kujdes: deri tani është konfirmuar vdekja e dy personave dhe jo 11, siç kanë raportuar gabimisht disa media! Ndaj kujdes ju lutem, sepse shqetësimi i njerëzve edhe ashtu është i madh. Fakt është që ka dhe disa të plagosur shumë rëndë, por të dhënat zyrtare deri tani janë këto”, shkroi Cani mbrëmë.

Policia në Magdeburg ka thënë se i dyshuar për këtë rast është një shtetas i Arabisë Saudite, 50-vjeçar, ndërsa mediat kanë thënë se i njëjti ka jetuar dhe punuar në Gjermani që nga viti 2006 si mjek. Ai është arrestuar.