Bexheti kërkon seancë për ngjarjet e “28 Nëntorit”, Qeveria të marrë pjesë në seancën për incidentet në Ditën e Flamurit

Grupi i deputetëve të Frontit Europian kërkon seancë të posaçme për ngjarjet e 28 nëntorit, Ditës së flamurit shqiptar. Deputeti i këtij koalicioni Blerim Bexheti theksoi se në të duhet të marrë pjesë edhe kryeministri Hristijan Mickoski, zv/kryeministri i parë Izet Mexhiti dhe ministri i brendshëm Pançe Toshkovski. Nëse ata nuk iu përgjigjen kësaj kërkese, do të thotë se nuk e respektojnë Kuvendin, tha Bexheti.

Kryetari i Kuvendit Afrim Gashi u përgjigj se pret që qeveria të dorëzojë përgjigjen dhe pas kësaj do të caktohet seanca. Gashi publikisht e thirri qeverinë të dorëzojë përgjigje për shkak se për këtë pikë nuk kanë material për debat.

Në ngjarjet që ndodhën më 28 nëntor, Ditën e flamurit kombëtarë shqiptarë, u dogj flamuri shtetërorë, e më pas në një incident tjetër u dogj edhe flamuri shqiptarë. Për këto ndodhi u arrestuan 17 persona, kryesisht të rinj, prej të cilëve 4 përfunduan në paraburgim edhe atë tre për djegien e flamurit shtetërorë dhe një për djegien e flamurit shqiptarë.