Analiza e akademikut grek: 28 Nëntori i shqiptarëve duhet të festohet zyrtarisht edhe në Greqi

Cili është përfitimi i dyfishtë për faktin që shqiptarët të festojnë 28 Nëntorin në rrugët e vendit tonë.

NGA DHIMITRIS CHRISTOPOULOS

Dita e Pavarësisë. Dita e Pavarësisë së Shqipërisë! Mbrëmjen e 28 Nëntorit, mijëra shqiptarë u derdhën në rrugët e Athinës, në këmbë, me makina dhe motorë, për të festuar përvjetorin kombëtar të atdheut të tyre. Qyteti, i ndriçuar bukur për festat e fundvitit, shkëlqeu në mënyrë të paparë: edhe llambushka Krishtlindjesh, edhe shqiponja dykrenore!

Më 28 nëntor 1912 u nënshkrua në Vlorë Deklarata e Pavarësisë së Shqipërisë. Natyrisht, do të duhej të kalonte shumë kohë që Shqipëria të bëhej vërtet shtet. Në thelb, kontrolli real i territorit nga autoritetet shqiptare do të ekzistojë vetëm pas tërheqjes së të gjitha trupave pushtuese (përfshirë ato greke nga jugu) në fillim të dekadës së ardhshme. Megjithatë, nuk është e pazakontë që festa kombëtare të jetë një ditë simbolike diku në fillim të përpjekjes.

E njëjta gjë vlen përafërsisht për Greqinë. Të gjithë e dinë datën e 25 marsit, por pakkush e di se shteti grek u krijua 11 vjet më vonë me Traktatin e Kostandinopojës më 21 korrik 1832. Edhe 25 marsi edhe 28 nëntori i referohen në rradhë të parë diçkaje tjetër: 25 Marsi ,Shpalljes së Virgjëreshës dhe 28 Nëntori, kryengritjes së parë të Skënderbeut kundër osmanëve në vitin 1443. E kaluara kombëtare është e mbushur me histori të bukura, të besueshme që nuk kanë rëndësi nëse kanë një marrëdhënie modeste me atë që ndodhi. Por kjo nuk është veçori as greke dhe as shqiptare.

E veçanta që ishte shkak për të shkruar këtë artikull është se ndërsa prej disa vitesh kjo festë festohet përtej Shqipërisë në pothuajse të gjitha qytetet e mëdha të Perëndimit ku është vendosur diaspora shqiptare., u desh të vinim në vitin 2024 për të bërë diçka të ngjashme dhe në Athinë. Pse kjo vonesë? Nëse mendoni se vetëm 20 vjet më parë, slogani që vibronte disa fusha dhe mendje djerrë të grekëve ishte “Kurrë nuk do të jesh grek, shqiptar” ( Dhen tha gjineis Ellinas pote, Alvane) , atëherë ndoshta i afrohesh përgjigjes.

Emigracioni shqiptar në Greqi pas përfundimit të Luftës së Ftohtë ringjalli pasionet e njohura të së shkuarës për të dyja palët. Ai ushqeu, së bashku me shqiptarofobinë në Greqinë e viteve ’90, një deficit besimi reciprok të bazuar kryesisht në trashëgiminë historike të marrëdhënieve greko-shqiptare. Për më tepër, fqinjësia nuk është vetëm një fokus afërsie, por kryesisht një burim konfliktesh. Nuk është rastësi që Greqia, Serbia dhe Rumania shkojnë mirë, sepse nuk kanë kufij. E njëjta gjë me Shqipërinë dhe Bullgarinë.

Megjithatë, lëvizshmëria njerëzore, një fëmijë i domosdoshmërisë, i kapërcen kufijtë dhe krijon njerëz të rinj. Njerëz që nuk kanë asnjë nga monolitet e “ndërgjegjeve të pastra kombëtare” që kërkojnë nacionalizmat e vrazhdë. Këta njerëz mbajnë brenda tyre vendin e origjinës si dhe atdheun e tyre të ri. Fshati ku kanë lindur dhe qyteti ku jetojnë. Edhe nëse janë në shtete të ndryshme.

Njerëz të tillë, shqiptarë të brezit të parë dhe të dytë në Greqi, dolën pardje në rrugët e Athinës për të festuar. Personalisht, isha shumë i lumtur – jo për ndonjë arsye tjetër ,por – sepse, pasi kanë vuajtur kaq gjatë në Greqi, shqiptarët gjetën guximin të ngrenë flamurin dhe të festojnë. Tashmë, 80% e të huajve që marrin nënshtetësinë greke janë shqiptarë. Ndaj truku i kujtesës “nuk do të jesh kurrë Grek” ,përveç se ishte një thirrje raciste, rezultoi tërësisht një gënjeshtër. Ata bëhen grekë fare mirë.

Sigurisht, çdo festë me flamurë mbart diçka të rrezikshme. Linjat midis patriotizmit me qëllim të mirë dhe nacionalizmit helmues nuk janë të qarta dhe njerëzit shpesh i kalojnë ato edhe kur nuk e dinë. Sidomos në Shqipëri, kjo po ndodh sot, siç ndodhi në vendin tonë në vitet 1990-2000, në kohën e “Greqisë së fortë”. Shqipëria vitet e fundit ngre kokën pas viteve të përbuzjes dhe nga një i afërm i varfër ndjen për herë të parë vetëbesim dhe fuqi. Kjo është sërish e mirë, por ka nevojë për pjekuri që shpesh mungon, siç mungonte edhe këtu. Sepse pa atë pjekuri, rezultati është shprehja e ndjenjës kombëtare në terma prej të forti grindavec , që nuk ndihmojnë askënd.

Gjithsesi, tashmë konsiderohet fakt që shqiptarët do të festojnë në rrugë 28 Nëntorin tani e tutje dhe këtë e konsideroj një zhvillim pozitiv për Greqinë, marrëdhëniet greko-shqiptare dhe për veten e tyre sigurisht. Njerëzit duhet të festojnë lirshëm. Por që festa në fjalë të vazhdojë pa probleme, nuk mund të bëhet në këtë mënyrë të çorganizuar.

Autoritetet greke, kryesisht ato lokale, duhet të bien dakord me komunitetet shqiptare për të dhënë hapësira publike, rrugë, sheshe, parqe, etj., në mënyrë që njerëzit të festojnë atje. Bashkia e Athinës duhet të jetë e para që dërgon këtë mesazh.

Përfitimi do të jetë i dyfishtë: Greqia do t’i nderojë kështu punëtorët shqiptarë që kanë derdhur djersë për bukën e tyre këtu. Mesazhi është “festa juaj është edhe e jona” dhe këtë mesazh dërgojnë edhe shumë shtete të tjera, jo vetëm duke ofruar hapësira, por edhe duke marrë pjesë në festat kombëtare të komuniteteve të tyre emigrante. Personalisht do të më pëlqente të shkoja për një raki, për një qingj të pjekur dhe të dëgjoja muzikë popullore shqiptare në një shesh athinas. Do të jetë perfekte. Flamujt e shumtë nuk janë për shijen time, por nuk u bë qameti.

Por përtej mesazhit të dlirë gjithëpërfshirës, ​​një praktikë e tillë do të ketë edhe një efekt të prekshëm operacional. Mbrojtjen e festës kombëtare nga çdo lloj provokatorësh, të cilët do të donin të shfrytëzonin rastin për të shkaktuar me një lëvizje të thjeshtë, një krizë të re në marrëdhëniet e shumëvuajtura greko-shqiptare. Po shëtisja pardje nëpër Athinë dhe sa më shumë shihja njerëz që festonin, aq më shumë dridhesha nga ideja se mund të kishte shumë kollaj incidente nga koka të llojllojshme gjaknxehta. Dhe kështu, në vend të festës, të rezultonte një incident me të plagosur, nëse jo me të vdekur, me dëme të mëdha edhe në fushën diplomatike.

Për këtë arsye, nisma duhet të merret menjëherë nga autoritetet greke. Do të jetë një emërues shumëfish pozitiv në të gjitha drejtimet. Win-win siç thonë në Greqi dhe Shqipëri!