Akuza e re ndaj Thaçit, Lekaj: Kërkojmë nga ndërkombëtarët të garantojnë proces të drejtë dhe transparent

Gjatë ditës së djeshme, Gjykata Speciale ka ngritur aktakuzë të re ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi dhe të tjerëve.

Lidhur me këtë, ka reaguar deputeti i AAK-së, Pal Lekaj i cili kërkon nga institucionet ndërkombëtare të garantojë proces të drejtë dhe transparent, transmeton Klankosova.tv.

Po ashtu, Lekaj thotë se akuzat e reja po ngrenë pyetje serioze rreth qëllimeve dhe metodologjisë së Gjykatës Speciale.

“Ngritja e aktakuzës së re ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi dhe të tjerëve për pengim të drejtësisë është një zhvillim që ngre pyetje serioze rreth qëllimeve dhe metodologjisë së Gjykatës Speciale. Ky institucion, që fillimisht u prezantua si garantues i drejtësisë për pretendimet ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, po vazhdon të ngjallë dyshime rreth standardeve të dyfishta që përdor dhe ndikimit politik që mund të ketë mbi proceset ligjore. Në vend që të kontribuojë në qartësimin e së vërtetës dhe vendosjen e drejtësisë, Gjykata duket sikur po fokusohet në ndjekjen e liderëve të luftës, duke injoruar kontekstin historik dhe sfidat ekzistenciale të Kosovës gjatë luftës për çlirim. Akuzat për “pengim të drejtësisë” ngjajnë më shumë si përpjekje për të ndëshkuar individë të caktuar sesa për të adresuar çështje reale ligjore”, ka shkruar deputeti në Facebook.

“Për më tepër, ky zhvillim mund të thellojë ndarjet politike dhe shoqërore në Kosovë, në një kohë kur vendi ka nevojë për unitet dhe përqendrim te reformat demokratike dhe integrimi euroatlantik. Drejtësia nuk mund të përdoret si instrument për të delegjitimuar luftën e drejtë të një populli për liri dhe pavarësi. Ne kërkojmë nga institucionet ndërkombëtare që të garantojnë një proces të drejtë dhe transparent, të mbështetur në prova të pakundërshtueshme dhe larg ndikimeve politike. Lufta jonë për liri nuk mund të zbehet nga sulmet që kanë për qëllim të deformojnë historinë tonë dhe të dëmtojnë udhëheqësit tanë që kanë mbrojtur dinjitetin kombëtar”.