Aktakuzë tjetër ndaj Nagip Krasniqit dhe dy të tjerëve, dëmtuan buxhetin e shtetit në vlerë prej rreth 37 milionë euro

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin Special, në rastin e njohur “KEK” kundër të pandehurve Nagip Krsniqi dhe Y.D. e I.Z.

Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur se të pandehurit akuzohen se gjatë periudhës kohore 2021 – 2023, me veprimet e tyre të kundërligjshme i kanë shkaktuar dëme buxhetit të Kosovës, rreth 37 milion euro për disa vepra penale.

“Keqpërdorimi i detyrës apo autoritetit zyrtar, Zbulimi i fshehtësisë zyrtare dhe Ndihmë në Keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar”, thuhet në njoftim.

Ky rast tashmë i ka kaluar në kompetencë Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, për procedurë të mëtutjeshme.

Ndryshe, Nagip Krasniqit i është ngritur një aktakuzë nga Prokuroria Speciale në gusht të këtij viti, mbi dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Sipas aktakuzës, Krasniqi i kishte mundësuar tregtimin e energjisë një kompanie sllovene në Kosovë, e cila nuk kishte licencë, duke dëmtuar kështu KEK-un në vlerë rreth 3 milionë e 230 mijë euro.