Opozitarizmi i brendshëm, i shëndetshëm për partitë politike!

Shkruan: Florim Zeqa

Shprehja e lirë dhe mendimi ndryshe janë standard dhe vlerë e demokracisë. Opozitarizmi i brendshëm e ndihmon rriten dhe zhvillimin e shëndetshëm të subjekteve politike. Zërat ndryshe brenda partive politike nuk duhet kuptuar si oponencë por si pasuri dhe vlerë e brendshme partiake.

Ata që ishin dje, janë sot, do të jenë edhe nesër në Parlament

Pikërisht ata që e kanë gojën plot demokraci dhe ndryshim janë rrënuesit e demokracisë dhe penguesit e reformave brenda partive tona politike!

Fakti se nga njëra palë zgjedhje në tjetrën nuk po ndodhë ndryshimi, por vetëm vazhdimësia, nuk po ndodhë rifreskimi i parlamentit por vetëm riciklimi i deputetëve nga njëra legjislaturë tek tjetra, është dëshmi e konstatimit tim të mësipërm!

Rifreskimi i Parlamentit duhet të fillojë me rifreskimin e listave zgjedhore të partive politike, gjegjësisht me ripërtëritjen e kandidatëve në listat zgjedhore. Kjo duhet të vie në shprehje edhe si rezultat i ngritjes së vetëdijes shoqërore.

Bie fjala, dikush që ka qenë një herë kandidat për deputet apo në kryesi të partisë të mos i zë vendin tjetrit duke kandiduar përseri, por të lëshojë rrugë për ndryshime dhe rifreskim të partisë politike!

Sikurse partia politike që nuk duhet të shndërrohet në pronë private të liderit të partisë, as Parlamenti nuk guxon të kthehet në çerdhe të veteranëve deputet!

Duke parë këtë vijimësi politike, në mungesë të një alternative të re politike, qytetarët e vendit janë të detyruar që në zgjedhjet e 9 shkurtit 2025 më shumë të përqendrohen në kandidat sesa në parti politike, pasi të gjitha partitë politike janë bërë përafërsisht të njëjta!

Kur e themë këtë e kam parasysh faktin se përafrimi i partive politike nuk qëndron në numra dhe as në emra, por në vlera (anti)demokratike.

Në të gjitha listat e partive politike ka kandidat që e meritojnë dhe që janë të aftë t’i përfaqësojnë interesat e qytetarëve në mënyrë dinjitoze në Kuvendin e Republikës së Kosovës!

Duke zgjedhur më të mirët nëpër të gjitha partitë e njëjta mund të bëhet një rifreskim i vogël, por jo i mjaftueshëm për ndryshime rrënjësore në Parlament.

Ndryshimet politike nuk vijnë vetëvetiu, atyre duhet t’iu prijnë elitat intelektuale dhe bërthamat e shëndosha atdhetare të cilat janë burim i pashterrshëm i shoqërisë sonë.

Për fund, opozitarizmi i brendshëm apo zërat ndryshe janë të shëndetshëm për partitë tona politike, në veçanti për ato që udhëheqin me shtetin. Opozita me sindikatat janë korrektor i përhershëm i gabimeve dhe lëshimeve që ndodhin gjatë qeverisjes së vendit.