Alternativa takon strukturat dhe aktivin e partisë në Kërçovë dhe Gostivar

Sot, nën moton “Vazhdojmë me përgjegjësi dhe dinjitet”, Alternativa zhvilloi takime të rëndësishme në Kërçovë dhe Gostivar, duke vijuar përkushtimin e saj për konsultime të hapura me strukturat dhe aktivin partiak.

Në këto takime, u trajtuan tema kyçe si situata aktuale politike, përgjegjësitë dhe rezultatet e arritura nga Alternativa gjatë qeverisjes në kuadër të koalicionit VLEN. Në qendër të diskutimeve ishin llogaridhënia, transparenca dhe përkushtimi, duke ndarë me pjesëmarrësit informacione mbi sfidat dhe prioritetet për vitin e ardhshëm.

Takimet u pasuruan me fjalime përshëndetëse nga figura të shquara të partisë, si kryetari i degës së Kërçovës, Fluturim Ibrahimi, u.d. kryetari i degës së Gostivarit dhe njëherazi nënkryetari i Alternativës, Afan Elezi, anëtari i Kuvendit Qendror, Mazllam Osmani, kryetarja e Forumit të Gruas së Alternativës, Albulena Demiri Zendeli, deputetja e Kuvendit Republikan, Imerlije Saliu, zëvendësministri i Arsimit, Lulzim Aliu, Sekretari i Sekretariateve pranë Alternativës, Admirim Aliti, nënkryetari i Alternativës, Arben Labunishti si dhe Sekretari i Përgjithshëm, Amir Elezi.

Në fund të takimit në Kërçovë, kryetari i Alternativës, Zeqirija Ibrahimi, mbajti një fjalim domethënës, duke theksuar:
“Është bërë zakon që të shkojnë për të kërkuar vota, kurse ne vijmë për të dhënë llogari. Jemi përfaqësuar nga politikanë të pakorruptuar, dhe kjo na dallon. Nuk mund të na akuzojnë për korrupsion, amoralitet apo keqpërdorim. Ata mund të flasin për çështje si gjuha shqipe, por pse nuk e zyrtarizuan për 22 vite? Po ashtu, çështja e xhamisë së Manastirit ose akuzat për Kërçovën janë vendime të tyre, jo tonat. Ndërkohë, unë ju garantoj me përgjegjësi maksimale se asnjë marrëveshje e dëmshme nuk është bërë nga ne.

Por, a është Ali Ahmeti i gatshëm të japë të njëjtën garanci? A mund të thotë me bindje se nuk ka hyrë në dhomën 161 për të negociuar dhe dorëzuar Kërçovën? Sepse kjo është pyetja që kërkon përgjigje!”

Në Gostivar, kryetari i Alternativës shtoi:
“Ne mburremi me përzgjedhjen e deputetes sonë Imerlijes. Ajo çdo ditë e më shumë po e dëshmon meritën për të përfaqësuar në Kuvend. Përkundër pritshmërive që numri i madh i deputetëve të VMRO-së do të shtypte shqiptarët, ne kemi ruajtur përfaqësimin tonë në çdo nivel, nga kryetari i Kuvendit e deri në strukturat më të ulëta. Në koalicionin VLEN kemi një balancë të mirë, të cilën askush nuk mund ta prishë. Dhe kështu, të bashkuar, do të vazhdojmë edhe në zgjedhjet lokale.”

Njëkohësisht, u ritheksua se rruga drejt Bashkimit Evropian mbetet prioriteti kryesor i Alternativës, duke u theksuar se kjo është zgjidhja më e mirë për të ardhmen e shqiptarëve dhe të gjithë qytetarëve të vendit.

Alternativa mbetet e përkushtuar në ndërtimin e një politike ndryshe, duke vizituar çdo vendbanim për të dëgjuar dhe bashkëpunuar me strukturat e saj. Me këtë qasje, synohet vendosja e standardeve të reja në politikëbërje dhe dhënia e llogarisë për çdo veprim!

Alternativa takon strukturat dhe aktivin e partisë në Kërçovë dhe Gostivar