Dy armiqtë e betuar që mbajnë çelësin për përfundimin e luftës në Gazë

Vala më e fundit e përpjekjeve për bisedime për armëpushim në Gazë, me qëndrime dhe thirrje tashmë të njohura në mbarë botën, lë në hije një të vërtetë të hidhur për përpjekjet disamujore për t’i dhënë fund luftës Izrael-Hamas dhe për të liruar pengjet.

Për marrëveshjen do të duhen firmat e dy personave: të Kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu dhe udhëheqësit të Hamasit, Yahya Sinwar.
Ata janë armiq të betuar, negociatorë të ashpër dhe e dinë se rezultati i bisedimeve do të përcaktojë trashëgiminë e tyre. Në rastin e Yahya Sinwarit, mund të bëhet fjalë për jetën ose vdekjen.

Të dy kanë stimuj të fortë për t’i dhënë fund luftës. Por ata gjithashtu mund të mendojnë se do të fitojnë duke pritur pak më gjatë dhe se lufta është më e preferueshme se një marrëveshje që nuk përmbush kërkesat e tyre.

Në vazhdim le t’i hedhim një vështrim qëndrimeve të dy udhëheqësve dhe kufizimeve me të cilat ata përballen.

Çfarë kërkon Netanyahu?

Kryeministri Netanyahu ka premtuar “fitore totale” ndaj Hamasit dhe rikthimin e të gjithë pengjeve që mbahen në Gazë – objektiva që shumë besojnë se janë të papajtueshme me njëra-tjetrën.

Ai ka qenë nën një presion të jashtëzakonshëm nga familjet e pengjeve dhe pjesa më e madhe e publikut izraelit për të arritur një marrëveshje për t’i sjellë ata në atdhe, edhe nëse kjo lejon një vazhdimësi të ekzistencës së Hamasit, tashmë të dëmtuar rëndë. Edhe Shtetet e Bashkuara, të cilat kanë dhënë ndihma të rëndësishme ushtarake dhe mbështetje diplomatike për Izraelin, po ushtrojnë trysni për arritjen e një marrëveshjeje të tillë.

Dy armiqtë e betuar që mbajnë çelësin për përfundimin e luftës në Gazë

Të afërmit e pengjeve që mbahen nga Hamasi protestojnë në Tel Aviv (27 gusht 2024)
Por koalicioni qeverisës i zotit Netanyahu mbështetet tek ministra të ekstremit të djathtë që duan rimarrjen përgjithmonë të Gazës dhe kanë kërcënuar se do ta rrëzojnë qeverinë nëse ai bën lëshime më shumë se ç’duhet. Kjo do të shkaktonte mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme që mund ta largonin atë nga pushteti, ndërsa ndaj tij vazhdon një proces gjyqësor për korrupsion.

Kjo do të përshpejtonte gjithashtu një vlerësim më të gjerë mbi dështimet e sigurisë për sulmin e 7 tetorit, gjatë të cilit militantët e udhëhequr nga Hamasi vranë rreth 1200 persona në jug të Izraelit, kryesisht civilë dhe rrëmbyen rreth 250 të tjerë – ndërsa vendi qeverisej nga zoti Netanyahu. Ai ka hedhur poshtë thirrjet për një hetim të qeverisë deri në përfundimin e luftës.

Sa më shumë të zgjatet lufta, aq më shumë ka gjasa që Izraeli të arrijë diçka që duket si fitore – si p.sh. vrasjen e Yahya Sinwarit, apo shpëtimin e më shumë pengjeve – dhe aq më shumë kohë i jepet Kryeministrit Netanyahu të riparojë pozitat e tij politike dhe t’i japë formë trashëgimisë së tij. Por ajo gjithashtu shoqërohet me rreziqe, pasi numri i ushtarëve të vrarë në luftime rritet pothuajse çdo ditë dhe Izraeli po bëhet gjithnjë e më i izoluar, për shkak të vuajtjeve që u ka shkaktuar palestinezëve.

Kryeministri Netanyahu pati mosmarrëveshje me ministrin e tij të mbrojtjes për dhënien fund të operacioneve ushtarake. Në mediat izraelite shfaqen artikuj të shumtë ku citohen zyrtarë të lartë të sigurisë, të paidentifikuar me emër, që shprehin zhgënjimin me Kryeministrin Netanyahu, në veçanti me kërkesën e tij për kontroll të vazhdueshëm mbi dy korridoret strategjike në Gazë. Disa kanë shkuar aq larg sa e akuzojnë atë për sabotim të bisedimeve.

Izraeli dhe Hamasi thonë se kanë pranuar në parim versione të ndryshme të një propozimi për armëpushim të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara, duke sugjeruar ndryshime dhe duke akuzuar tjetrin për kërkesa të papranueshme.

Yohanan Plesner, kreu i Institutit të Demokracisë në Izrael, pranoi ekzistencën e zemërimit ndaj Kryeministrit Netanyahut në shtypin lokal dhe në segmente të shoqërisë izraelite, por tha se Yahya Sinwari mban pjesën më të madhe të fajit për ngërçin, pasi ai ka treguar pak interes për të arritur një kompromis.

“Nëse do të shihnim se Sinwari do të ishte serioz për arritjen e një marrëveshjeje, kjo do ta detyronte Izraelin dhe Netanyahun të vepronin me transparencë”, tha zoti Plesner. Situata aktuale është “pothuajse si të negociosh me veten”.

Çfarë kërkon Yahya Sinwari?

Yahya Sinwari dëshiron t’i japë fund luftës – por vetëm sipas kushteve të tij.

Nga operacionet ushtarake të Izraelit janë vrarë mbi 40 mijë persona, sipas zyrtarëve lokalë të shëndetësisë të kontrolluar nga Hamasi; është zhvendosur 90% e popullsisë së Gazës dhe janë shkatërruar qytetet kryesore të saj. Hamasi ka humbur mijëra luftëtarë dhe një pjesë të madhe të infrastrukturës militante.

Një tank izraelit pranë kufirit me Gazën
Yahya Sinwarit i kanë mbetur për t’i përdorur në negociata rreth 110 pengjet që mbahen ende në Gazë, rreth një e treta e të cilëve besohet të kenë vdekur. Dhe ai ka nevojë për shumë më tepër sesa një pauzë të përkohshme në luftime, nëse shpreson të arrijë diçka që mund t’i shëmbëllejë fitores nga sulmi i 7 tetorit, për të cilin ai ndihmoi si organizator.

Atij i nevojiten garancitë se Izraeli nuk do ta rifillojë luftën pasi të lirohen disa, ose të gjithë pengjet. Ai gjithashtu ka nevojë që Izraeli të tërhiqet nga e gjithë Gaza, për të siguruar që pasoja afatgjatë e sulmit të 7 tetorit të mos jetë një ripushtim i përhershëm i territorit. Lirimi i të burgosurve palestinezë të profilit të lartë, si pjesë e një marrëveshjeje të mundshme, është një kauzë e shenjtë për Yahya Sinwarin, i cili ishte vetë i burgosur dhe u lirua gjatë një shkëmbimi. Dhe ai ka nevojë për garanci se palestinezët do të jenë në gjendje të kthehen në shtëpitë e tyre dhe t’i rindërtojnë ato.

“Sinwari është shumë i interesuar për t’i përfunduar negociatat, qoftë në lidhje me një armëpushim, apo një shkëmbim të burgosurish, sepse në të dyja rastet, Sinwari do të dalë si fitues”, tha Nabih Awada, analist politik libanez dhe ish-militant që kaloi vite në një burg izraelit së bashku me Yahya Sinwarin.

Zgjatja e bisedimeve mbart edhe rreziqe: Më shumë pengje ka të ngjarë të vdesin ose të shpëtohen ndërsa lufta vazhdon. Vdekja, shkatërrimi dhe vështirësitë në Gazë do të vazhdojnë dhe mund të ngjallin pakënaqësi me Hamasin në radhët e palestinezëve, me pasoja të mëtejshme politike.

Palestinezët duke varrosur të afërmit e vrarë nga bombardimet izraelite (27 gusht 2024)
Vetë Yahya Sinwari, i cili është në krye të listës së më të kërkuarve të Izraelit, mund të vritet në çdo kohë. Por duke pasur parasysh rëndësinë e martirizimit në historinë dhe ideologjinë e Hamasit, ai mund të ndiejë se rezultati është i pashmangshëm – dhe më i preferueshëm se një marrëveshje që mund të duket si disfatë.

A mund të ndihmojë një trysni ndërkombëtare?

Egjipti dhe Katari kanë shërbyer si ndërmjetës kryesorë me Hamasin, por ndikimi i tyre është i kufizuar.

Një trysni e ushtruar mbi drejtuesit në mërgim të Hamasit nuk ka gjasa të ketë shumë ndikim tek Yahya Sinwari, i cili u emërua drejtuesi i përgjithshëm i Hamasit pas vrasjes së Ismail Haniyehit në Iran. Sinwari besohet se e ka kaluar pjesën më të madhe të 10 muajve të fundit në tunelet nën Gazë dhe është e paqartë se sa është në kontakt me botën e jashtme.

Shtetet e Bashkuara kanë ofruar mbështetje thelbësore ushtarake për Izraelin gjatë gjithë konfliktit dhe e kanë mbrojtur atë përballë thirrjeve ndërkombëtare për një armëpushim. Në fillim të këtij viti, Presidenti Joe Biden ndali një dërgesë me qindra predha 900 kilogramshe, për t’i bërë trysni Izraelit që të mos sulmonte qytetin jugor Rafah – diçka që Izraeli e bëri gjithsesi.

Politikat e sezonit elektoral në Shtetet e Bashkuara mund ta zbusin gjithashtu trysninë amerikane. Presidenti Biden ka treguar pak prirje për t’i bërë trysni Kryeministrit Netanyahu dhe Nënpresidentja Kamala Harris nuk ka paraqitur ndryshime konkrete të kësaj politike. Ish-Presidenti Donald Trump i ka kërkuar Izraelit t’i japë fund operacioneve ushtarake, por ka të ngjarë të bëjë më pak presion ndaj Kryeministrit Netanyahu, ashtu si veproi edhe gjatë presidencës së tij.

Një embargo e armëve amerikane është edhe më pak e mundshme ndërsa Izraeli përballet me rrezikun e një sulmi nga Irani, si kundërpërgjigje për vrasjen e Ismail Haniyehut. Përkundrazi, Shtetet e Bashkuara kanë shtuar praninë ushtarake në rajon, duke ia lehtësuar kështu Izraelit një pjesë të trysnisë ndaj tij.

Yahya Sinwari mund të kishte shpresuar që vrasjet e Ismail Haniyehut dhe një komandanti të lartë të Hezbollahut muajin e kaluar do ta zgjeronin luftën. Por kjo duket më pak e mundshme, ndërsa Izraeli dhe Hezbollahu po tërhiqen pas një shkëmbimi intensiv zjarri gjatë fundjavës.

Bisedimet e armëpushimit kanë vazhduar gjatë gjithë kësaj periudhe, të shoqëruara nga momente optimizmi.

Ndërmjetësuesit i kanë kaluar javët e fundit duke u përpjekur të hartojnë një propozim të ndërmjetëm me zotin Netanyahu, por kjo është ende një punë e papërfunduar. Gjithashtu, propozimi nuk i është paraqitur ende Yahya Sinwarit./VOA