Zonja e Parë e Ukrainës dhe kreu i diplomacisë ukrainase vizitojnë Serbinë

Zonja e Parë e Ukrainës, Olena Zelenska dhe ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba, nisën të dielën një vizitë dy palëshe në Beograd. Kjo është vizita e parë e një personaliteti të lartë ukrainas në Serbi qëkur Moska filloi pushtimin e Ukrainës në shkurt të vitit 2022.

Vizita e tyre filloi me një vizitë në Bibliotekën e Qytetit të Beogradit, ku u shoqëruan nga Tamara Vuçiç, bashkëshortja e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç. Zelenska vizitoi qytetin dhe kështjellën mesjetare serbe Kalemegdan, njoftoi agjencia serbe e lajmeve Tanjug.

Ndërkohë, Zelenska shkroi në rrjetin social Instagram se e vizitoi vendin arkeologjik me ekspozitën “Salla romake” në bibliotekën e qytetit të Beogradit, si dhe “Raftin ukrainas”, një cep i bibliotekës me libra ukrainas që u themelua nën patronazhin e saj.

Ajo mori pjesë edhe në nënshkrimin e një marrëveshjeje për bashkëpunim në mes të universiteteve të Beogradit dhe Kievit, siç u raportua.