Rezultati i dalë nga zgjedhjet parlamentare të 8 majit, ka siguruar 41 ulëse për gratë në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, kundrejt 79 ulëseve për burrat nga 120 sa ka gjithsej ky institucion. Më shumë se gjysma e deputeteve, edhe atë 23, janë nga VMRO DPMNE-ja, e cila doli fituese në zgjedhjet parlamentare duke siguruar 58 deputetë. Përderisa partitë shqiptare të grumbulluara në dy taborë, Fronti Evropian që siguroi 19 mandate dhe partitë opozitare të grumbulluara në koalicionin VLEN që siguroi 13 mandate, do të përfaqësohen vetëm nga 8 gra – pesë nga Fronti Evropian dhe tri nga koalicioni VLEN.
Lidhja Social- Demokrate, e cila siguroi 18 mandate, do të përfaqësohet nga 7 gra. Nëse do të rritet numri i grave në institucionin ligjvënës, varet nëse bartësit e listave bëhen pjesë e Qeverisë dhe me këtë vendet e zbrazëta zëvendësohen me emrat që pasojnë në listë. Në bazë të Ligjit për zgjedhjen e deputetëve në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, 40 për qind e ulëseve janë të garantuara për gratë, përkatësisht sipas ligjit duhet të jenë 48 vende nga 120 aq sa ka Kuvendi.