Vrasja në shkollë/ Një vit nga masakra në shkollën e Beogradit!

Nën moton “Zgjimi” Serbia, shënon njëvjetorin e masakrës në shkollën fillore “Vladimir Ribnikar” në Beograd, kur 13-vjecari Kosta Kecmanoviq vrau 9 bashkëmoshatarë dhe gardianin e shkollës.

Prindërit e fëmijëve të vrarë u tubuan para shkollës në orën 08.41, në kohën kur 14-vjecari nisi fushatën e përgjakshme, në ngjarjen që tronditi rajonin.

Në 08.41 mediat e Serbisë, ndërprenë programin për të nderuar viktimat.

Në hyrje të shkollës është vendosur instalimi figurativ “Veloja e pikëllimit” ku janë shënuar emrat e viktimave, kurse qytetarët gjatë gjithë ditës do të kalojnë përmes të ashtuquajturës “hapësirë të heshtjes”.

Dorasi 14-vjecar Kosta Kecmanoviq, tashmë një vit gjendet në institucion mental, kurse për shkak të moshës nuk ka përgjegjësi penale për krimin.

Në janar nisi gjykimi I prindërve të tij, ndaj të cilëve është ngritur akuza serioze kundër sigurisë publike për shkak se nuk kishin mbrojtur armën dhe plumbat me të cilët ishte kryer masakra.

Pas kësaj ngjarje makabre për muaj të tërë në Beograd u organizuan protesta kundër dhunës, kurse ekspertët serb pohojnë se vrasjet masive nuk e ndryshuan Serbinë.