Ushtria izraelite tha të enjten se pesë nga ushtarët e saj u vranë aksidentalisht nga zjarri i tankeve izraelite në Rripin e Gazës.
Ushtria tha se tre ushtarë të tjerë u plagosën.
Ky incident e çon numrin e trupave izraelite të vrarë në 273 që nga fillimi i luftës në tetor.
Ushtria amerikane njoftoi të enjten se ka përfunduar ndërtimi i një skele të përkohshme në brigjet e Gazës. Kjo do të krijojë një rrugë të re për të sjellë ndihma humanitare në Rripin e Gazës.
Komanda Qendrore e Shteteve të Bashkuara tha se kamionët me ndihma “pritet të mbërrijnë në breg në ditët në vazhdim” dhe se Kombet e Bashkuara do të jenë përgjegjëse për marrjen e dërgesave dhe koordinimin e shpërndarjes.
Ndihmat që mbërrijnë fillimisht i nënshtrohen inspektimit dhe kontrolleve të sigurisë në Qipro. Ngarkesat më pas dërgohen në një skelë lundruese të ndërtuar nga Shtetet e Bashkuara në brigjet e Gazës dhe transferohen në kamionë. Disa anije më të vogla i çojnë kamionët në skelën e sapo ankoruar në vijën bregdetare të Gazës.
Marrëveshja është pjesë e një përpjekjeje për të rritur atë që organizatat humanitare thonë se është një sasi e pamjaftueshme e ushqimeve, ilaçeve dhe furnizimeve të tjera për civilët palestinezë. Disa organizata humanitare kanë thënë se korridori detar nuk është zgjidhja më e mirë, duke argumentuar se rritja e flukseve të ndihmave përmes kalimeve tokësore do të ishte shumë më efektive.
Ministri izraelit i Mbrojtjes Yoav Gallant sulmoi kryeministrin Benjamin Netanyahu të mërkurën për dështimin në hartimin e një plani për të qeverisur Gazën pas përfundimit të luftës së Izraelit me Hamasin. Por udhëheqësi izraelit tha se ishte e kotë të bëhej një gjë e tillë derisa militantët të mposhten.
Në një përçarje të pazakontë mes dy udhëheqësve, zoti Gallant tha në një deklaratë televizive se ai është kundër vendosjes së kontrollit ushtarak ose civil izraelit mbi Rripin e Gazës, një territor përgjatë Detit Mesdhe, ku jetojnë rreth 2.3 milionë palestinezë.
“Që nga tetori, unë e kam ngritur vazhdimisht këtë çështje në kabinet dhe nuk kam marrë asnjë përgjigje”, tha ministri Gallant.
“I bëj thirrje kryeministrit Benjamin Netanyahu që të marrë një vendim dhe të deklarojë se Izraeli nuk do të vendosë kontroll mbi Rripin e Gazës”, tha zoti Gallant, duke bërë thirrje për një “alternativë qeverisëse të menjëhershme ndaj Hamasit”.
Me sulmin e Hamasit të 7 tetorit mbi Izraelin dhe kundërsulmimin e mëpasshëm të Izraelit ndaj militantëve të Hamasit në Gazë, Kryeministri Netanyahu ka refuzuar vazhdimisht të parashtrojë një plan të pasluftës për qeverisjen në Gazë.
Shtetet e Bashkuara, furnizuesi kryesor i armëve i Izraelit, ka bërë thirrje për një Autoritet Palestinez të reformuar për të qeverisur Gazën dhe Bregun Perëndimor ndërsa zgjidhja përfundimtare të arrihet me krijimin e dy shteteve.
Por zoti Netanyahu dhe koalicioni i tij qeverisës i krahut të djathtë e kundërshtojnë me vendosmëri një zgjidhje të tillë. Kryeministri tha se të gjitha diskutimet se si duhet të udhëhiqet Rripi i Gazës pas luftës shtatë-mujore ishin “fjalë boshe” nëse Hamasi mbetet në territor.
“Kushti i parë për përgatitjen e terrenit për një entitet tjetër është shkatërrimi i Hamasit”, tha Kryeministri Netanyahu në deklaratën e publikuar në kanalin e tij në aplikacionin për shpërndarjen e mesazheve ‘Telegram’.
Ministri Gallant tha se veprimi aktual ushtarak në Gazë duhet të pasohet nga veprime politike.
“E nesërmja pas Hamasit do të arrihet vetëm kur entitetet palestineze të marrin kontrollin e Gazës, të shoqëruar nga aktorë ndërkombëtarë, duke krijuar një alternativë qeverisëse ndaj sundimit të Hamasit”, tha ai.
“Ky, mbi të gjitha, është një interes i shtetit të Izraelit”, tha ministri Gallant.
Ministri i Sigurisë Kombëtare i krahut të djathtë, Itamar Ben-Gvir, anëtar i koalicionit qeverisës të zotit Netanyahu, sulmoi ministrin Gallant për pikëpamjet e tij. Zoti Ben-Gvir e cilësoi ministrin Gallant si “ministri i mbrojtjes që dështoi më 7 tetor dhe vazhdon të dështojë edhe sot. Një ministër i tillë i mbrojtjes duhet të zëvendësohet për të arritur qëllimet e luftës”, tha ai.
Sipas zyrtarëve izraelitë, lufta u shkaktua nga sulmi terrorist i Hamasit në muajin tetor në Izrael që vrau 1200 njerëz dhe çoi në kapjen e rreth 250 pengjeve.
Kundërofensiva e mëvonshme e Izraelit në Gazë ka vrarë më shumë se 35,200 palestinezë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë të Gazës, e kontrolluar nga Hamasi. Llogaritjet e Hamasit përfshijnë civilë dhe luftëtarë në numrin e të vrarëve, por thotë se shumica e të vdekurve janë gra dhe fëmijë.
Izraeli thotë se ka vrarë më shumë se 14,000 militantë dhe rreth 16,000 civilë.
Disa informacione për këtë raport u morën nga agjencitë e lajmeve ‘Associated Press’, ‘Agence France-Presse’ dhe ‘Reuters’. /VOA