Universiteti i Tetovës e thellon bashkëpunimin me Universitetin e Shkencave Jetësore nga Poznani i Polonisë

 

 

Fakulteti i Teknologjisë Ushqimore dhe të Ushqyerit i Universitetit të Tetovës e vijon bashkëpunimin e suksesshëm me Katedrën e Ushqimeve Funksionale të Fakultetit të Shkencave të Ushqimit dhe Nutricionit, nga Universiteti i Shkencave Jetësore nga Poznani i Polonisë.
Në kuadër të bashkëpunimit, Prof. Dr. Monika Przeor para studentëve të UT-së mbajti një ligjëratë, me temë: “Hulumtimi i përbërësve bioaktivë dhe ushqimet funksionale: Gjendja, zbatimet e industrisë dhe perspektivat”. Gjatë ligjëratës ajo prezantoi edhe eksperiencat dhe mundësitë e bashkëpunimit në projektin “Ushqimet e reja me veti bioaktive dhe promovuese të shëndetit” të financuar nga Bashkimi Evropian. Në këtë projekt hulumtohen 56 bimë me studime in vitro dhe studime klinike rreth vetive antidiabetike, antiinflamatore, kundër hipertensionit dhe kundër obezitetit duke përfshirë gjashtë universitete dhe institute nga Polonia. Eksperimentet në kuadër të projektit kanë për qëllim: vlerësimin cilësor dhe sasior të dietës, vlerësimin e ndryshimeve të parametrave antropometrikë, analizat biokimke, monitorimin e performancave fizike, kapacitetet specifike të ushtrimeve, analizat e gjenotipit dhe shprehjes së gjeneve si dhe studimet ushqyese në modelet e kafshëve.

Pas përfundimit të ligjëratës, Prof. Dr. Monika Przeor realizoi një takim me prodekanët e Fakultetit të Teknologjisë Ushqimore dhe të Ushqyerit, Prof. Dr. Erhan Sulejmani dhe Prof. Dr. Gafur Xhabiri. Ata u pajtuan që bashkërisht të angazhohen për shkëmbimin e studentëve dhe të stafit akademik, ku prioritet iu dha harmonizimit të programeve studimore, si dhe zhvillimit të projekteve kërkimore-shkencore.