Së paku shtatë njerëz janë vrarë dhe 15 të tjerë janë plagosur nga shembja e një pjese të një ndërtese shumëkatëshe banimi, si pasojë e një sulmi raketor ukrainas në qytetin kufitar të Rusisë, Belgorod, thanë zyrtarët rusë të dielën.
Pamje nga vendi i ngjarjes – të postuara nga guvernatori i këtij rajoni në kufi me Ukrainën, Vyacheslav Gladkov – shfaqën shembjen e së paku 10 kateve të ndërtesës.
“Qyteti i Belgorodit dhe rajoni i Belgorodit u bombarduan nga Forcat e Armatosura të Ukrainës”, tha Gladkov.
Zjarrfikësit duke punuar në vendin e ngjarjes së një ndërtese të shembur pjesërisht në Belgorod, Rusi, 12 maj 2024.
“Si pasojë e goditjes direkte nga një predhë në një ndërtesë banimi, e tërë hyrja nga kati i dhjetë deri te i pari, u shemb”, shtoi ai.
Kanali rus i lajmeve në Telegram, Mash, raportoi se së paku shtatë njerëz u vranë dhe 15 të tjerë u plagosën.
Një dëshmitar rasti tha se shumë ambulanca dhe automjete zjarrfikësish u panë në vendin e ngjarjes.
“Një pjesë e tërë e një ndërtesë 10-kateshe u shemb. I pashë disa viktima”, tha dëshmitari për Reuters në kushte anonime.
Më herët të dielën, Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se kundërajrorët e saj i rrëzuan dy raketa balistike të epokës sovjetike që forcat ukrainase i kishin shkrepur mbi rajonin Belgorod gjatë natës.
Qytetet në pjesën perëndimore të Rusisë janë përballur me sulme të vazhdueshme me dronë prej majit 2023. Për këto sulme, zyrtarët rusë e kanë fajësuar Kievin.
Zyrtarët ukrainas nuk marrin asnjëherë përgjegjësi për sulme në territorin rus, apo në Gadishullin e uzurpuar të Krimesë.
Rajoni i Belgorodit në veçanti ka qenë cak i sulmeve të mëdha. Në dhjetor 2023 u vranë 25 njerëz nga një sulm në qendër të qytetit Belgorod./REL